Der Spiegel: SHBA-të po planifikojnë reduktimin e kontributit të tyre në NATO
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten për një reduktim të konsiderueshëm të kontributit të tyre ushtarak në NATO. Kjo masë përfshin shkurtimin e numrit të bombarduesve strategjikë dhe një ulje me rreth një të tretën të avionëve luftarakë.
Sipas një raporti të publikuar nga revista gjermane Der Spiegel, Uashingtoni synon gjithashtu të ndalojë furnizimin me nëndetëse dhe dronë zbulues, ndërsa edhe numri i dronëve të armatosur pritet të pakësohet ndjeshëm.
Raporti mbështetet në informacione nga një takim i mbajtur fundjavën e kaluar midis përfaqësuesit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe zyrtarëve të lartë të Aleancës, zhvilluar në selinë e NATO-s.
Burimet cituar nga Der Spiegel theksojnë se, megjithëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të garantojnë mbrojtjen bërthamore të Evropës në kuadër të NATO-s, ato presin që vendet evropiane të marrin përsipër një peshë më të madhe për mbrojtjen konvencionale të kontinentit. Siç thuhet në raportin e Der Spiegel, “Evropianët duhet ta mbajnë kryesisht barrën e mbrojtjes konvencionale të kontinentit vetë”.
