Shpërthim me lëndë eksplozive në një biznes në Laç
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Laçit, ku pranë një biznesi ka shpërthyer një lëndë plasëse. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, ku dyshohet se është përdorur lëndë eksplozive, bëhet fjalë për tritol.
Nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Konkretisht, tritoli është vendosur në hyrje të biznesit, i cili ndodhet në një kompleks shërbimesh.
Ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të incidentit dhe identifikimin e personave përgjegjës.
