Shpërthim në minierën e qymyrit në Pakistan, të paktën 34 persona humbin jetën
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi në një minierë qymyri në provincën Balochistan, në jugperëndim të Pakistanit.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi u shkaktua nga grumbullimi i gazit metan brenda minierës. Ngjarja shkaktoi dëme të mëdha dhe bllokoi nën tokë një numër të panjohur minatorësh.
Autoritetet deklaruan se operacioni i kërkim-shpëtimit është ende në zhvillim. Ekipet e emergjencës po punojnë për të depërtuar në galeritë e dëmtuara dhe për të furnizuar me oksigjen zonat ku dyshohet se mund të ketë ende punëtorë të bllokuar.
Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të minatorëve që ndodheshin në punë në momentin e shpërthimit. Bilanci i viktimave pritet të ndryshojë me vijimin e operacioneve.
Aksidentet në minierat e Pakistanit janë të shpeshta për shkak të standardeve të dobëta të sigurisë, ventilimit të pamjaftueshëm dhe grumbullimit të gazrave të ndezshëm, veçanërisht në minierat e qymyrit në provincën Balochistan.
