Shqipëria e shtrenjtë për makineri, pengesë për biznese

Edhe makineritë dhe pajisjet kushtojnë më shumë se mesatarja e BE-së, Shqipëria e pesta më e shtrenjtë në Europë

Jo vetëm konsumatorët shqiptarë, por edhe bizneset përballen me çmime më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian për produkte të caktuara. Makineritë dhe pajisjet, të cilat janë thelbësore për aktivitetin ekonomik, blihen në Shqipëri me kosto më të lartë se mesatarja e BE-së. Ky fakt, sipas analizës, përbën një pengesë të rëndësishme për konkurrueshmërinë e bizneseve dhe frenon investimet në teknologji.

Të dhënat e publikuara nga Eurostat për vitin 2024, në lidhje me nivelet krahasuese të çmimeve të investimeve, tregojnë se indeksi i çmimeve për kategorinë “makineri, pajisje dhe produkte të tjera” në Shqipëri ka qenë 111. Ky shifër nënkupton një kosto 11% më të lartë se mesatarja e BE-së, e cila shërben si referencë me indeks 100.

Shqipëria renditet kështu në mesin e vendeve me çmimet më të larta në Europë për këtë kategori investimesh. Ajo lë pas edhe disa vende të zhvilluara të Bashkimit Europian dhe pozicionohet si më e shtrenjta në Ballkan. Kjo situatë rrit kostot për bizneset shqiptare, duke i privuar nga një avantazh konkurrues si në nivel rajonal ashtu edhe në atë europian.

Në krahasim me vendet e BE-së, Shqipëria është e treta më e shtrenjta, ndërsa në rangun e Europës së përgjithshme zë vendin e pestë. Ajo renditet pas Zvicrës (indeks 121), Islandës (117), Maltës (121) dhe Danimarkës (114).

Kostoja e këtij zëri, që përfshin makineritë industriale, linjat e prodhimit, pajisjet elektrike dhe elektronike, kompjuterët, automjetet dhe mjete të tjera të përdorura nga bizneset, rezulton më e lartë krahasuar me shtete si Franca, Gjermania dhe Italia.

Sipas Eurostat, Figura 2, e cila paraqet indekset e nivelit të çmimeve për makineritë dhe pajisjet (duke përfshirë produkte metalike, pajisje elektrike dhe optike, si dhe mjete transporti), tregon se nga 36 vende të analizuara, Zvicra ishte vendi më i shtrenjtë me indeks 124, ndërsa Turqia më e lira me indeks 67.

Një tipar kryesor i këtij grafiku është se çmimet për këtë kategori produktesh janë relativisht të ngjashme mes vendeve, në ndryshim nga sektori i ndërtimit, ku diferencat janë më të theksuara.

E shtrenjtë për makineritë, por e lirë për investimet në ndërtim

Ndërsa çmimet e makinerive dhe pajisjeve janë të larta, Shqipëria shquhet për çmimet e ulëta në sektorin e ndërtimit. Ajo renditet ndër vendet më të lira, me një indeks prej 53% të mesatares së BE-së. Vetëm Mali i Zi (51) dhe Bosnjë-Hercegovina (48) kanë indekse më të ulëta, me këtë të fundit që është më e lira në Europë për ndërtim.

Figura 3 ilustron indekset e nivelit të çmimeve për ndërtimin. Vendet më të shtrenjta për investime në këtë sektor ishin Zvicra dhe Gjermania, me indekse përkatësisht 146 dhe 145, të ndjekura nga Luksemburgu dhe Suedia.

Fakti që Shqipëria ofron kosto të ulëta për ndërtimet ndikon në renditjen e saj nën mesataren e BE-së për treguesin e përgjithshëm të investimeve. Ky tregues, që përfshin ndërtesa banimi dhe jo-rezidenciale, punime inxhinierike, makineri dhe pajisje, ka një indeks prej 69% të mesatares së BE-së. Megjithatë, në rajon, Shqipëria renditet e dyta më e shtrenjtë, pas Serbisë (70%).

Sipas Eurostat, Figura 1 paraqet indekset e nivelit të çmimeve për investimet totale në vitin 2024. Zvicra dhe Gjermania regjistruan nivelet më të larta të çmimeve, respektivisht me indekse 130 dhe 122. Në fundin e spektrit, vendet më pak të shtrenjta për investime ishin Turqia dhe Bosnjë-Hercegovina, me indekse 59 dhe 66.

Metodologjia

Indekset janë bazuar në dy anketa të të dhënave për çmimet, të realizuara në vitin 2024 si pjesë e Programit Eurostat-OECD për Paritetet e Fuqisë Blerëse (PPP). Anketat mbulojnë sektorin e ndërtimit (banesa, ndërtesa jo-rezidenciale dhe vepra inxhinierike civile) si dhe makineritë, pajisjet dhe produkte të tjera. Rezultatet paraqiten si indekse të nivelit të çmimeve, të cilat krahasojnë nivelet e çmimeve të vendeve me mesataren e BE-së, sipas sqarimit të Eurostat.

Scroll to Top