Hapet Sot Grupkapitulli V në Bruksel, i Fundit i Procesit të Integrimit
Sot në Bruksel zhvillohet konferenca e 7-të ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave, ai i “Bujqësisë dhe Kohezionit”. Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama. Në tryezë do të jenë gjithashtu komisionerja Marta Kos dhe ministrja daneze e Punëve të Jashtme, Marie Bjerre.
Deri më tani, Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues:
- Themeloret
- Marrëdhëniet me Jashtë
- Tregun e Brendshëm
- Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse
- Axhendën e Gjelbër
Bashkimi Europian ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030. Kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.
Procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria mori pjesë në konferencën e parë ndërqeveritare dhe çeli zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve. Më 17 dhjetor të të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë. Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse. Më 15 shtator 2025, Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e pestë, Axhendën e Gjelbër.
Konferenca e sotme, e shtata me radhë, është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve. Pritet që ajo të hapë rrugën për përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027. Pas kësaj faze, vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, i cili kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE.
