“`html
Shqipëria, mes vendeve me ujin e pijshëm më pak të sigurt në Europë
Shqipëria renditet mes vendeve me rezultatet më të dobëta për sigurinë e ujit të pijshëm në Europë, duke u pozicionuar pas Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
Sipas Indeksit të Performancës Mjedisore, Shqipëria vlerësohet me vetëm 54.1 pikë nga 100 pikë maksimale.
Ujërat nëntokësore paraqesin një nga burimet më të rrezikuara në Bashkimin Europian. Mbi 20% e ujërave nëntokësore në BE janë në gjendje të dobët kimike, me prani substancash të dëmshme mbi kufijtë e lejuar.
Trajtimi i ndotjes ka kosto të mëdha; vetëm nitrati mund t’i kushtojë BE-së deri në 320 miliardë euro në vit. Kufiri i BE-së për nitratet është 50 mg/litër, por ky nivel u tejkalua në 14% të pikave matëse të ujërave nëntokësore.
Kush ka ujin e rubinetit më të shëndetshëm?
Investimet e konsiderueshme të Europës për pastrimin e ujërave nëntokësore dhe për përmirësimin e sistemit të kanalizimit duket se po japin rezultate. Sipas Environmental Performance Index, 19 nga 20 vende me kanalizimin dhe ujin e pijshëm më të mirë në botë janë europiane, me Japoninë si përjashtimin e vetëm.
Finland, Islanda, Holanda, Norvegjia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar morën rezultatin maksimal prej 100 pikësh për mbrojtjen e shëndetit të njeriut nga uji i pijshëm dhe kanalizimi i pasigurt.
Normat më të dobëta në Europë u regjistruan në Moldavi me 50 pikë, Gjeorgji me 51.7 dhe Shqipëri me 54.1. Në 10 vendet me rezultatet më të ulëta janë edhe tre shtete të BE-së: Letonia, Lituania dhe Rumania.
BE-ja po monitoron më nga afër burimet ujore, përfshirë substanca që ndikojnë te hormonet. Ndotja e ujërave nëntokësore mbetet shqetësuese, pasi ato furnizojnë rreth 65% të ujit të pijshëm në BE dhe përdoren për rreth 25% të ujitjes bujqësore.
Sipas Water Atlas, rreth 80% e ujërave të ndotura në botë derdhen pa trajtim në lumenj e liqene.
Water Atlas ka hartëzuar ujërat nëntokësore në Europë sipas gjendjes së tyre kimike, bazuar në standardet e Direktivës së Ujit të BE-së. Rezultatet në disa vende janë shqetësuese:
- Në Luksemburg, 79% e ujërave nëntokësore të hartëzuara nuk arritën status të mirë kimik në vitin 2025.
- Në Çeki kjo shifër ishte 55%.
- Në Belgjikë 41%.
- Në Gjermani 40%.
Pesticidet, PFAS, substancat farmaceutike dhe mikroplastikat mbeten ndër kërcënimet kryesore për cilësinë e ujit. / Euronews
“`
