Ulja e çmimit të naftës: 193 lekë/litër nga 8 Maji

Bordi ul sërish çmimin e naftës, e çon në 193 lekë

Bordi i Transparencës, në mbledhjen e tij të datës 8 Maj 2026, ka vendosur uljen e radhës të çmimit të naftës, duke e sjellë atë në 193 lekë për litër, nga 196 lekë që ishte më parë. Ky ndryshim vjen si pasojë e rënies së çmimit të karburantit në bursa dhe shpresave për një marrëveshje me Iranin.

Sipas vendimit të Bordit:

  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil, standardi SSH EN 590, do të jetë jo më shumë se 193 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër.
  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë, standardi SSH EN, do të jetë jo më shumë se 179 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 8 Maj, në orën 13:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori shitjeje me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin për zbatimin e këtij vendimi. Në rast shkeljesh të konstatuara, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM:

Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, parashikohet se nëse çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litri, ose për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet aktuale janë nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3.4.2026. Për rrjedhojë, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Scroll to Top