Shqipëria nis një epokë të re me Rolando Maran: Fillojnë stërvitjet zyrtare
Kombëtarja shqiptare e futbollit nis sot zyrtarisht përgatitjet nën drejtimin e trajnerit të ri Rolando Maran, i cili u zyrtarizua në krye të ekipit pak ditë më parë. Trajneri italian mori vendin e Silvinjos dhe do të udhëheqë Shqipërinë në Ligën e Kombeve dhe në kualifikueset e Europianit të ardhshëm.
Vëmendja kryesore për momentin përqendrohet te dy miqësoret e ardhshme që do të luajë kombëtarja në Tiranë. Shqipëria do të përballet me Izraelin më 3 qershor në stadiumin “Air Albania”, dhe vetëm tre ditë më vonë, po në të njëjtin stadium, do të presë Luksemburgun.
Për trajnerin Maran, këto dy ndeshje do të jenë debutimi i tij në drejtimin e skuadrës dhe do t’i shërbejnë për t’u njohur më mirë me ekipin dhe lojtarët. Me shumë gjasa, këto do të jenë të vetmet miqësore para nisjes së Ligës së Kombeve në shtator.
Përgatitjet
Pak ditë më parë, trajneri Maran prezantoi listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy ndeshje, listë që nuk munguan surprizat dhe risitë. Një pjesë e mirë e lojtarëve, pasi kanë përfunduar kampionatet me ekipet e tyre, kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë zhvilluar stërvitje individuale, duke u fokusuar edhe te rikuperimi pas ngarkesës së fundit të sezonit.
Ditën e djeshme grupi u plotësua, ndërsa sot zhvillohet seanca e parë zyrtare nën drejtimin e trajnerit të ri. Maran do të ketë mundësinë të punojë me grupin e plotë për disa ditë dhe më pas të vendosë për formacionin që do të luajë kundër Izraelit. Pritet që të gjithë futbollistët e grumbulluar të marrin minuta në këto dy ndeshje miqësore.
Pas sfidës me Izraelin, Shqipëria do të luajë me Luksemburgun. Koha për përgatitjen e këtij takimi do të jetë e limituar, pasi pas ndeshjes së parë do të ketë vetëm një ditë rikuperim dhe dy seanca stërvitore shtesë.
Rivalët
Federata Shqiptare e Futbollit kishte njoftuar këto dy ndeshje miqësore pak javë para emërimit të trajnerit Maran. Pavarësisht kësaj, këto takime ofrojnë një mundësi të mirë për trajnerin e ri që të provojë skuadrën kundër kundërshtarëve jo shumë të fortë, sidomos në rastin e Luksemburgut.
Fakti që dy kundërshtarët nuk janë në nivelin më të lartë, i jep mundësinë kombëtares shqiptare të provojë edhe lojtarë të tjerë, të cilët nuk kanë pasur hapësira të mjaftueshme me trajnerin e mëparshëm Silvinjo, siç janë Shpendi apo Hasa.
