Shqipëria online, por me aftësi digjitale të ulëta

Shqiptarët online, por shumë pas në aftësi digjitale

Shqipëria po shënon një rritje të qëndrueshme në përdorimin e internetit, por vijon të përballet me sfida serioze në zhvillimin e aftësive digjitale të popullsisë.

Gjatë vitit 2025, rreth 86.1% e qytetarëve kanë përdorur rregullisht internetin, duke iu afruar mesatares së vendeve të rajonit, por ende nën nivelin e vendeve të Bashkimit Europian.

Rritja e aksesit po reflektohet edhe në sektorin privat, ku një pjesë gjithnjë e më e madhe e ndërmarrjeve po investon në trajnime për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.

Megjithatë, pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës dhe përdorimit të rrjetit, niveli i aftësive digjitale mbetet i ulët. Vetëm 23.3% e popullsisë zotëron aftësi bazë, një diferencë e ndjeshme krahasuar me mesataren europiane.

Situata bëhet edhe më sfiduese kur bëhet fjalë për aftësi më të avancuara dhe për numrin e specialistëve të teknologjisë, i cili mbetet shumë i kufizuar.

Punonjësit e fushës së teknologjisë përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të forcës së punës në vend, shumë më pak se në rajon dhe në Europë. Kjo lidhet jo vetëm me mungesën e përgatitjes së mjaftueshme, por edhe me largimin e profesionistëve drejt tregjeve të huaja apo angazhimin e tyre në forma pune që nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare.

Në të njëjtën kohë, sistemi arsimor dhe programet e formimit profesional nuk po ecin me ritmin e zhvillimeve teknologjike globale, duke krijuar një boshllëk midis kërkesës së tregut dhe aftësive që ofron fuqia punëtore.

Si rezultat, procesi i digjitalizimit të bizneseve përballet me vështirësi, për shkak të mungesës së ekspertizës së nevojshme.

Scroll to Top