Shqiptari i dënuar me 30 vite burg ekstradohet nga SHBA në Itali

I dënuar me 30 vite burg në Itali, ekstradohet nga SHBA 44-vjeçari

Një 44-vjeçar shqiptar është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për llogari të shtetit italian, pasi rezulton i dënuar me 30 vite burg për vepra penale të vrasjes dhe tentativës së vrasjes.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Kamer Duhanxhiu.

NJOFTIMI I POLICISE

Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Fast Albanias të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë/Zyrën e Hetimeve Kriminale në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka koordinuar veprime të përbashkëta me Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale Italiane – Shërbimi i Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar dhe Zyrën e Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohore, këto institucione kanë bashkëpunuar duke shkëmbyer informacion lidhur me shtetasin shqiptar Kamer Duhanxhiu, 44 vjeç.

Ky shtetas, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 1999, është dënuar nga autoritetet italiane me 30 vjet burgim për veprat penale “Vrasja, mbetur në tentativë” dhe “Vrasja në rrethana cilësuese”, ngjarje të ndodhura në vitin 1999 në Asti, Itali.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet këtyre agjencive ligjzbatuese partnere në Shqipëri dhe Itali, si dhe të Agjencisë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (ICE) në Shtetet e Bashkuara, shtetasi Kamer Duhanxhiu, i cili fshihej në SHBA prej shumë vitesh, ishte arrestuar më herët gjatë këtij viti, në Florida.

Pas përpjekjeve të përbashkëta koordinuese ndërmjet këtyre agjencive, ai u deportua nga SHBA me fluturim çarter drejt Tiranës, më datë 19.11.2025.

Sapo ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”, ai është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë, bazuar në urdhrin e arrestit ndërkombëtar/kartelën e kuqe të Interpolit, të lëshuar nga autoritetet italiane.

Ky shtetas do të përballet me dënimin e tij 30-vjeçar në Itali.

Policia e Shtetit gjen rastin t’i vërë në dukje edhe një herë një tjetër operacion të suksesshëm në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar mes agjencive partnere ligjzbatuese.

Scroll to Top