Skandal himni në Pustec: MPJ reagoi

Skandali me himnin shqiptar në Pustec, Ministria e Jashtme: Respekti për simbolet kombëtare nuk është çështje politike apo interpretimi!

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Pustec, ku kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe delegacioni i tij nuk treguan respekt për himnin shqiptar. Ministria shpreh keqardhje për këtë ngjarje, duke theksuar se mosluajtja e himnit shqiptar pas atij maqedonas përbën një mungesë serioze dhe një shkelje të protokollit në ngjarje zyrtare.

Në komunikatën e saj, Ministria e Jashtme vijon duke nënvizuar se respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë temë politike apo subjekt i interpretimeve, por duhet të jetë pjesë e etikës institucionale.

Ditën e djeshme, gjatë një eventi të organizuar nga një shoqatë lokale në Pustec, u luajt vetëm himni i Maqedonisë së Veriut. Ky veprim konsiderohet një shkelje e rëndë dhe injorim i simboleve kombëtare shqiptare brenda territorit të Shqipërisë. Ky nuk është rasti i parë, pasi edhe në një aktivitet tjetër ku mori pjesë kryeministri maqedonas Hristijan Miskocski, nuk u ekzekutua himni shqiptar.

Reagimi i plotë nga Ministria e Punëve të Jashtme:

MEPJ shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë.

Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme.

Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona.

Scroll to Top