## Dosja “Kurum”/ Dhjetëra mijëra ton mbetje u zhdukën pa gjurmë në Elbasan
Hetimet e prokurorisë së Durrësit kanë zbuluar skandalin e zhdukjes së qindra mijëra tonëve mbetje të prodhuara nga kompania “Kurum” në Elbasan, ku dhjetëra mijëra prej tyre thuhet se janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 33 urdhra-arreste, 26 për burg dhe 7 për arrest shtëpie, duke i dhënë fund hetimeve për 2800 ton mbetje të rrezikshme të prodhuara nga “Kurum International” në Elbasan. Këto mbetje ishin nisur me anije drejt Tajlandës, duke u shoqëruar me dokumenta të falsifikuara.
Një dosje e siguruar nga Lapsi.al jo vetëm provon se këto 2800 ton mbetje ishin të rrezikshme, por nxjerr në dritë një skandal me përmasa të frikshme, shumë herë më të mëdha se ç’kishte denoncuar më parë organizata mjedisore “Basel Action Network”. Hetimet tregojnë se “Kurum” ka prodhuar qindra mijëra tonelata mbetje në vitet e fundit, të cilat janë menaxhuar në mënyrë kriminale, duke bërë që dhjetëra mijëra prej tyre të humbasin pa gjurmë në Elbasan.
Faktet tregojnë se 2800 ton mbetjet e nisura drejt Tajlandës ishin vetëm maja e ajsbergut. Në realitet, tonelata të tëra me mbetje të rrezikshme në Shqipëri janë magazinuar në mjedise të papërshtatshme, janë trafikuar me dokumenta të falsifikuara, dhe madje edhe janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
### Zyrtarë të lartë nën hetim
Zyrtarja më e lartë e arrestuar është ish-drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Arta Dollani. Ajo përflitet si një nga personat e besuar të ish-ministres Mirela Kumbaro, por lidhjet e biznesmenëve që merren me transportin e mbetjeve të “Kurum” shkojnë shumë më lart. Këta persona veprojnë në një mjedis të pakontrolluar, ku shteti duket se mungon dhe ligji përkulet, duke toleruar një treg kriminal të transportit të mbetjeve.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, sipas prokurorisë, nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin pranë shoqërive “Kurum International sha”, “Alliance Resource shpk”, “Sokolaj shpak” dhe “ESM APO”. Si pasojë, është lejuar grumbullimi, transportimi dhe kontrabandimi i mbetjeve të rrezikshme, të cilat në të paktën 4 vitet e fundit janë transportuar me qindra mijëra tonelata në vit.
Kompania turke “Kurum International” ka deklaruar se ka prodhuar vetëm 1000 ton mbetje të rrezikshme. Megjithatë, prokuroria e Durrësit ka zbuluar se ajo i ka shitur kompanisë “Sokolaj shpk” mbi 4122 ton mbetje të rrezikshme vetëm në vitet 2023 dhe 2024, duke përdorur 4 fatura. Kjo diferencë e madhe, rreth 4 mijë herë më shumë se sa deklarohej, tregon abuzimin me dokumentat shtetërorë.
### “Kurum” prodhoi 30 mijë ton mbetje të rrezikshme në 4 vjet
Ekspertimi kimik mjedisor tregon se mbetjet përmbajnë metale të rënda, oksid hekuri dhe oksid zinku, duke qenë një përzierje tipike e pluhurit të furrës elektrike të çelikut (EAF dust). Një specialist pranë zyrës së mjedisit te “Kurum International” ka dëshmuar se prodhimi i oksidit të zinkut për 4-5 vitet e fundit ka qenë rreth 25.000 deri në 30.000 ton në vit. Këto sasi të mëdha tregojnë se rasti i denoncuar i Tajlandës ishte vetëm një rast i izoluar.
Prokuroria ka ngritur akuza kundër drejtuesve të “Kurum International”, kompanive transportuese të lëndëve kimike, si dhe zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Doganës, Autoritetit Portual dhe operatorit të terminalit.
Tre kompani dalin si nyje ku mbetjet kalonin para se të zhdukeshin ose të dilnin jashtë vendit: **Alliance Resource sh.p.k., Bajrami N sh.p.k., Sokolaj sh.p.k.**
### “Sokolaj sh.p.k.” dhe “Alliance Resource sh.p.k.”: Falsifikime për eksportin e mbetjeve
“Sokolaj sh.p.k.” është kompania që falsifikoi dokumentat për 2800 ton mbetje të rrezikshme të nisura drejt Tajlandës. Sipas prokurorisë, kjo ishte një skemë që zbatohej prej vitesh. Ndërsa faturat e gjetura në “Kurum” dëshmonin për prodhimin e mbetjeve të rrezikshme, nga porti i Durrësit rezultonte se eksportohej mbetje e parrezikshme.
Prokuroria ka sekuestruar disa kontrata, ku në njërën prej tyre, “Sokolaj” shprehet se bazuar në kontratën me “Kurum International”, angazhohet të blejë mbetje me kod 10 02 07*, me sasi vjetore 25.000 ton në vit. Megjithatë, “Sokolaj” nuk rezulton të ketë autorizim për eksportimin e mbetjeve të rrezikshme për periudhën 2022-2024.
E njëjta skemë është aplikuar edhe nga kompania “Alliance Resource sh.p.k.”, ku janë gjetur sasi të mëdha mbetjesh në stok, të ruajtura në kushte të papërshtatshme. Kjo kompani nuk ka disponuar dokumentacionin për trajtimin e tyre, duke shtuar rrezikun e lëshimit të gazrave toksikë në mjedis.
Dyshimet janë se “Kurum” dhe “Alliance” kanë shkelur legjislacionin për menaxhimin e mbetjeve, duke i transferuar ato tek të tretët me kosto të ulët për të shmangur kostot e asgjësimit.
### “Bajrami N”, dhjetëra mijëra ton mbetje të zhdukura pa gjurmë
Kompaniia “Bajrami N” sh.p.k. përmendet në dosje për sasi të mëdha mbetjesh, kryesisht skorje, të cilat janë zhdukur pa gjurmë. Hetuesit kanë gjetur tre kontrata për gjithsej 40 mijë ton mbetje, të cilat kjo kompani synonte t’i trajtonte me impiant betoni dhe t’i përdorte si stabilizant të rrugëve.
Megjithë shitjet e raportuara, nuk ka asnjë informacion se ku janë depozituar këto mbetje dhe si janë trajtuar, pasi mungon çdo regjistër. Prokuroria e Durrësit e cilëson “Bajrami N” shpk si “vrima e zezë” e hetimit, ku dhjetëra mijëra tonelata mbetje janë zhdukur pa lënë gjurmë.
“Bajrami N” sh.p.k. ka lidhur kontratë me “Kurum International sh.a.” për përpunimin/trajtimin e skorjeve, por nuk disponon leje mjedisore përkatëse.
### Një qeveri e shqetësuar nga lajmet “toksike”
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni që duhet të ishte garantues i këtij tregu, përshkruhet si një hallkë jofunksionale. Drejtuesja e AKM, Arta Dollani, akuzohet se nuk e ka përmbushur detyrën, nuk ka kryer inspektime dhe nuk ka monitoruar zbatimin e kritereve të lejes. AKM duket se ka kërkuar informacion vetëm pasi rasti i eksportimit në Tajlandë u bë publik, duke mos kryer verifikime paraprake në terren.
Prokuroria e Durrësit është fokusuar te ky mekanizëm, duke lënë jashtë vëmendjes dështimin e aparatit të madh shtetëror, i cili duket se zgjohet vetëm kur skandali del në media.
Dy ish-ministret, Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro, fillimisht mohuan të ishin të rrezikshme mbetjet e “Kurum”, duke dalë garant për ngarkesën. Kryeministri Edi Rama, në një fjalim në parlament, ia faturoi fajin mediave dhe opozitës, duke pretenduar se skandali ishte shpikje e “kokave të sëmura”. Ai deklaroi se “eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme”.
Tani që mbetjet kanë dalë të rrezikshme dhe është provuar përfshirja e administratës shtetërore, si dhe zhdukja e dhjetëra mijëra tonelatave mbetje pa gjurmë, qeveria me siguri do të heshtë. Në rastin më të mirë, ajo është bashkëpunëtore e biznesmenëve përmes paaftësisë së saj, ndërsa në rastin më të keq, është bashkëpunëtore e tyre përmes korrupsionit.
