Emailet e reja/ Pse u prish miqësia mes Trump dhe Epstein
Për këdo që ka pasur interes mbi skandalin e Jeffrey Epstein, kjo javë ka ofruar disa zbulime të rëndësishme. Demokratët në SHBA, me synimin për të goditur Donald Trump, publikuan disa email-e të redaktuara të Epstein, ku emri i presidentit përmendej shpesh. Më pas, republikanët, për të zbehur efektin e dokumenteve të publikuara nga demokratët, nxorrën mijëra dokumente të tjera.
Nuk është më lajm që shumë figura të elitës amerikane kishin normalizuar miqësinë e tyre me një person të akuzuar për trafik vajzash të mitura, dhe këta individë vinin nga të gjitha krahët e spektrit politik amerikan. Dokumentet e reja konfirmojnë edhe një herë nivelin e ulët moral ku ishin zhytur disa amerikanë të fuqishëm. Megjithatë, ende nuk japin përgjigje përfundimtare për pyetje si: A kishin burra të tjerë të fuqishëm marrëdhënie seksuale me vajza të mitura? Çfarë lidhjesh kishte Epstein me shërbimet sekrete? Dhe, a është i përfshirë Donald Trump në këtë skandal?
Emailet e Epstein shfajësojnë Donald Trump
Në email-in e parë që demokratët publikuan, të dërguar në vitin 2011 nga Epstein te bashkëjetuesja e tij, Ghislaine Maxwell, pak pasi Epstein ishte liruar nga burgu, ai shkruante: “Dua që ti të kuptosh se qeni që nuk ka lehur është Trump… [VIKTIMA] ka kaluar orë të tëra te shtëpia ime me të, ai nuk është përmendur asnjëherë. Shefi i policisë, etj. Jam 75 përqind i sigurt.” Me emrin e viktimës të redaktuar, email-i dukej sikur sugjeronte ekzistencën e një viktime të panjohur me të cilën Epstein supozonte se Trump kishte pasur një marrëdhënie seksuale.
Por më vonë u mësua se emri i fshehur ishte Virginia Giuffre, viktima më e famshme e Epstein, e cila kishte punuar në Mar-a-Lago. Giuffre në mënyrë të përsëritur kishte mohuar që Trump të kishte pasur ndonjë akt seksual me të, apo me vajza të tjera, ndonëse ajo kishte bërë akuza të rënda ndaj shumë figurave të tjera të fuqishme. Qartazi ky email nuk ishte prova e drejtpërdrejtë që tregonte përfshirjen e Trump në krime seksuale. Madje emaili mund të lexohej edhe ndryshe: si nënkuptim i Epstein se Trump ishte personi që e kishte denoncuar atë në policinë e Palm Beach, një version që përputhet me narrativën që disa mbrojtës të Trump përpiqen të ngrenë.
Ndërkohë, dokumentet përmbajnë edhe një email të shumë më vonshëm të Epstein, një përzierje e çorganizuar mendimesh, të cilin ai ia dërgonte vetes pak para arrestimit të vitit 2019. Në atë email, ai duket se përshkruan operacionin e tij (“200 dollarë për një rub-and-tug… pa seks… shumica në të njëzetat e mesme…”) dhe pastaj shkruan se Trump “erdhi shumë herë në shtëpinë time gjatë asaj periudhe”, por “kurrë nuk mori masazh”, para se të kalojë te një ankesë e gjatë se si Trump e kishte mashtruar në një marrëveshje hotelerie. Ky email sugjeron se kishte një mëri të hershme personale mes Epstein dhe Trump, por për arsye tregtare dhe jo për përfshirjen e Trump në shfrytëzimin e vajzave të mitura për prostitucion.
Në emaile, mediat amerikane raportojnë gjithashtu se kanë gjetur prova se Epstein përdori disa kontakte për të ndihmuar inteligjencën izraelite në projekte të caktuara, por aty nuk ka asgjë që tregon se ai drejtonte një operacion shantazhi në emër të tyre.
Presion për transparencë mbi administratën Trump
“Dosjet Epstein” kanë përndjekur administratën e Trump prej muajsh, teksa ajo përpiqet të përballojë një krizë gjithnjë e më të thellë mbi krimet seksuale të financierit të ndjerë, të dënuar për pedofili, Jeffrey Epstein. Presioni është rritur nga vetë mbështetësit e presidentit Donald Trump dhe nga zëra brenda Partisë Republikane për më shumë transparencë mbi atë që kanë zbuluar hetimet për Epstein.
Të mërkurën, mijëra dokumente që i përkisnin pasurisë së Epstein u publikuan nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, kryesisht email-e. Pak orë më vonë, Dhoma e Përfaqësuesve njoftoi se javën e ardhshme do të zhvillohet një votim për publikimin shumë më të gjerë të materialeve të Departamentit të Drejtësisë, të ashtuquajturat “dosjet Epstein”. Njoftimi u detyrua pasi një peticion procedural arriti firmën e tij të 218-të vendimtare, e cila e detyron çështjen të kalojë për votim në sallë.
Çfarë dihet për marrëdhënien Trump/Epstein?
Trump dhe Epstein duket se kanë qenë miq për disa vite, duke ndarë rrethe të ngjashme shoqërore. Materialet e mëhershme tregojnë se të dhënat e Trump figuronin në “librin e zi” të kontakteve të Epstein. Regjistrat e fluturimeve treguan se Trump kishte udhëtuar me avionin e Epstein disa herë. Ata janë fotografuar së bashku në evente elitare në vitet ’90, dhe CNN ka publikuar foto që tregojnë Epstein në dasmën e Trump me Marla Maples. Në vitin 2002, Trump e përshkroi Epstein si “një djalë fantastik”. Epstein më vonë u shpreh: “Unë isha miku më i afërt i Donaldit për 10 vjet.”
Sipas Trump, ata u prishën në fillim të viteve 2000, dy vjet para arrestimit të parë të Epstein. Në vitin 2008, Trump deklaroi se “nuk ka qenë kurrë tifoz i tij”. Shtëpia e Bardhë ka sugjeruar se prishja lidhej me sjelljen e Epstein, duke thënë se “presidenti e përzuri nga klubi i tij sepse sillej si maniak ndaj punonjëseve femra”. Washington Post, në anën tjetër, ka sugjeruar se konflikti lidhej me një rivalitet mbi prona në Florida.
Çfarë janë dosjet Epstein?
Në vitin 2008, Epstein arriti një marrëveshje me prokurorët pasi prindërit e një vajze 14-vjeçare i thanë policisë në Florida se Epstein kishte abuzuar me vajzën e tyre në rezidencën e tij në Palm Beach. Foto të vajzave u gjetën në të gjithë shtëpinë dhe Epstein u shpall fajtor për kërkim prostitucioni nga një e mitur, një akuzë që e regjistroi për krimin seksual dhe i mundësoi shmangien e një dënimi të rëndë falë marrëveshjes. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, ai u akuzua për drejtimin e një rrjeti vajzash të mitura për seks. Ai vdiq në burg gjatë paraburgimit dhe vdekja e tij u cilësua vetëvrasje.
Të dy hetimet penale krijuan një volum të madh dokumentesh, duke përfshirë transkripte intervistash me viktima e dëshmitarë, si dhe materiale të sekuestruara nga bastisjet në pronat e tij të ndryshme. Ka pasur edhe një hetim të veçantë ndaj bashkëpunëtores britanike dhe ish-të dashurës së Epstein, Ghislaine Maxwell, e cila u dënua në vitin 2021 për komplot në trafikun seksual të vajzave të mitura. Epstein dhe Maxwell ishin gjithashtu objekt i disa çështjeve civile.
Çfarë është publikuar deri tani?
Me kalimin e viteve, një pjesë e materialeve është bërë publike. Publikimi i email-eve të së mërkurës nuk ishte i pari nga Komisioni i Mbikëqyrjes, që ka thirrur me urdhër zyrtar pasurinë e Epstein më herët gjatë vitit. Një publikim i mëparshëm në shtator përfshinte një “libër urimesh për ditëlindje” me një shënim për Epstein, në të cilin figuronte emri i Trump, ndërsa ky i fundit ka mohuar se e ka shkruar.
Në shkurt të këtij viti, pak javë pasi Trump mori detyrën, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI publikuan atë që e përshkruan si “faza e parë e dosjeve të deklasifikuara Epstein”. Një grup influencuesish të së djathtës ekstreme u ftuan në Shtëpinë e Bardhë, por mbetën të zhgënjyer kur zbuluan se 341 faqet e dorëzuara ishin kryesisht materiale tashmë të njohura. Ato përfshinin regjistrat e fluturimeve të avionit të Epstein dhe një version të redaktuar të librit të kontakteve të tij, ku ndodheshin emrat e personave të njohur. Në korrik, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI njoftuan me një memo se nuk do të publikoheshin më materiale.
Kush përmendet në dosjet Epstein?
Emri i presidentit përmendet disa herë në email-et e fundit të publikuara nga pasuria e Epstein. Ai ka mohuar çdo keqbërje. Miliarderi Elon Musk dhe Andrew Mountbatten-Windsor (ish-Princi Andrew) u përmendën në regjistrat e fluturimeve të publikuar në shtator. Mountbatten-Windsor i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. Musk ka deklaruar se Epstein e kishte ftuar në ishull por ai e kishte refuzuar.
Sipas Wall Street Journal, Trump përmendet gjithashtu në dokumente ende të papublikuara të FBI-së, dhe për këtë është informuar nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi në maj. Gazeta vuri në dukje se përmendja e emrit nuk provon keqbërje. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e quajti artikullin “të rremë”, megjithëse një zyrtar i paidentifikuar i tha Reuters se administrata nuk e kundërshton faktin që emri i Trump përfshihet.
Megjithëse përmbajtja e dokumenteve të papublikuara mbetet e panjohur, materialet ekzistuese në domenin publik përmendin një sërë figurash të njohura të lidhura me Epstein, gjë që nuk përbën provë fajësie. Dhjetëra emra u përmendën në publikimin e 900 faqeve gjyqësore në vitin 2024. Mountbatten-Windsor, ish-Presidenti Bill Clinton dhe Michael Jackson ishin mes miqve, shoqëruesve dhe viktimave të pretenduara. Clinton dhe ish-princi kanë mohuar të kenë ditur për krimet e Epstein. Michael Jackson vdiq në 2009.
Këto publikime lidhen edhe me çështjen e Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim me 20 vite për trafik seksual të të miturave.
Çfarë ndodh tani me votimin në Dhomë?
Sipas kryetarit të Dhomës Mike Johnson, votimi mund të mbahet që javën e ardhshme. Katër republikanë dhe të gjithë 214 demokratët nënshkruan peticionin. Nëse projektligji miratohet, ai kalon në Senat, ku duhen 60 vota — një prag i lartë. Më pas shkon në tryezën e presidentit, ku me shumë gjasa do të vetohet.
Pse ka kaq shumë interes për Epstein?
Mbështetësit më të zjarrtë të lëvizjes MAGA të Trump prej kohësh besojnë se zyrtarët po fshehin të vërteta kyçe për jetën dhe vdekjen e Epstein. Disa prej tyre kanë besuar se një kabalë abuzuesish me të mitur operon në majat e shoqërisë amerikane, e mbrojtur nga shteti, teori që u përhapën përmes mesazheve enigmatike të personazhit anonim “Q”. Në disa teori konspirative të shtyra nga influencues MAGA, Epstein paraqitet si agjent i qeverisë izraelite.
Disa aleatë të Trump kanë tentuar të shuajnë pakënaqësinë. Muajin e kaluar, republikanët njoftuan një pushim të hershëm parlamentar, duke pezulluar përpjekjet për të detyruar publikimin e dokumenteve brenda 30 ditëve. Por në publikun e gjerë ka ende shumë pyetje pa përgjigje, përfshirë sesi Epstein mori një dënim kaq të butë në Florida, nëse ai dhe Maxwell vepronin vërtet vetëm, dhe si u lejua të vetëvritej në qeli.
Trump dhe ekipi i tij i kanë nxitur teori të tilla kur ishin në opozitë, por tani që janë në pushtet, nuk po arrijnë t’ua shpjegojnë mbështetësve se nuk ka më përgjigje të fshehura.
