“`html
Artistët e institucioneve publike të artit dhe kulturës mund të përfitojnë një skemë të posaçme financiare para moshës së pensionit. Kjo parashikohet në një projektligj të nxjerrë për konsultim publik, i cili përfshin pagesë mujore nga shteti dhe mbulimin e kontributeve shoqërore e shëndetësore.
Një nga risitë kryesore të draftit është mundësia që akrobatët, balerinët dhe valltarët të kalojnë në këtë skemë që në moshën 47 vjeç. Kjo vlen nëse ata kanë të paktën 15 vite performancë skenike dhe 15 vite sigurime shoqërore.
Për këngëtarët lirikë-solistë dhe koristët, kufiri i moshës përfitimi vendoset në 57 vjeç, me kritere të ndryshme për vitet e punës dhe të sigurimit:
- Për këngëtarët lirikë-solistë kërkohen të paktën 20 vite performancë skenike dhe 20 vite sigurime.
- Për koristët kërkohen 20 vite performancë dhe 25 vite sigurime.
Drafti trajton plotësimin e kushteve si një “shkak i posaçëm ligjor për përfundimin e marrëdhënies së punës”, duke mundësuar kalimin e artistit në skemën financiare. Institucioni publik do të kryejë verifikimin dhe do të nxjerrë aktin përkatës.
Për pesë vitet e para, artisti do të marrë 70% të pagës bruto mujore të muajit të fundit të punës. Pas kësaj periudhe, pagesa do të jetë 50% e pagës neto mujore të referencës për profesionin dhe kategorinë përkatëse, deri në lindjen e së drejtës për pension.
Kjo skemë synon të mbulojë periudhën ndërmjet përfundimit të karrierës aktive në skenë dhe pensionit, duke marrë parasysh kërkesat fizike dhe vokale të këtyre profesioneve. Kostoja e parashikuar për Buxhetin e Shtetit është rreth 50.8 milionë lekë për periudhën 2027-2029.
Gjatë periudhës së përfitimit nga trajtimi financiar, kjo kohë do të njihet si periudhë sigurimi, ndërsa kontributet shoqërore dhe shëndetësore do të paguhen nga Buxheti i Shtetit.
Projektligji përcakton pesë kategori përfituese: akrobatë, balerinë, valltarë, këngëtarë-solistë lirikë dhe këngëtarë-koristë, me kusht që të kenë punuar në institucione publike të artit dhe kulturës. Lista e institucioneve do të miratohet më vonë.
Një dispozitë tjetër parashikon që përfituesit, me kërkesë të institucionit publik, mund të angazhohen deri në 250 orë në vit pa shpërblim shtesë në aktivitete trajnuese, promovuese, artistike, kulturore ose mentorim profesional. Ky angazhim nuk do të konsiderohet marrëdhënie pune dhe nuk mund të sjellë rikthimin në ushtrimin e rregullt të profesionit skenik.
Projektligji pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa Këshilli i Ministrave do të ketë gjashtë muaj kohë për miratimin e akteve nënligjore.
“`
