SPAK: Berisha nuk u paraqit, fletëthirrjet u kthyen

Berisha nuk u paraqit, SPAK: Fletëthirrjet u kthyen

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë një deklaratë përsa i përket mosparaqitjes së kryedemokratit Sali Berisha, lidhur me çështjen e 21 Janarit.

Në një njoftim për mediat, SPAK ka bërë të ditur se i kanë dërguar dy fletëthirrje Berishës përmes shërbimit të Postës Shqiptare.

Sipas SPAK, fletëthirrja e parë është kthyer mbrapsht me shënimin se rojet janë të autorizuara të mos pranojnë asnjë zarf. Ndërsa fletëthirrja e dytë, e dërguar në tre destinacione (banesë, selinë e Partisë Demokratike dhe Kuvend), nuk është tërhequr nga grupi parlamentar i PD-së.

Reagimi i SPAK:

Përshëndetje,

Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë si vijon:

Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare:

  • Më datë 3.11.2025, në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025).
  • Në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).

Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”

Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.

Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë. Ndërsa më 12.11.2025, Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit, më datë 10.11.2025.

Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

Scroll to Top