SPAK: Përplasje për Belinda Ballukun, kritika nga Ahmetaj

Për Belinda Ballukun ka përplasje në SPAK

Në një intervistë për emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka komentuar hetimet e SPAK-ut ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.

Ai ka deklaruar se hetimi aktual nuk lidhet me çështje të mëdha korruptive, si ato të inceneratorëve, tunelit të Llogarasë apo projekteve të energjisë, por për një tender të vogël mbikëqyrjeje, duke e cilësuar këtë si një “lojë qesharake” me drejtësinë.

Ahmetaj ka theksuar gjithashtu se brenda SPAK ka tensione të brendshme dhe se disa hetime, si ajo për diplomën e Ballukut, nuk kanë marrë vazhdimësi. Ai argumenton se hetimet duket se po fokusohen në çështje më të vogla, ndërsa projektet milionëshe mbeten të paprekura.

Sipas tij, Edi Rama nuk e pengon SPAK të kryejë hetime ndaj Ballukut, por ato po zhvillohen në mënyrë selektive dhe me qëllime politike.

“E para dhe mbi të gjitha është se brenda SPAK ka akoma përplasje për Belinda Ballukun. Zoti Dumani ka hetuar zv/kryeministren për diplomën, ndërkohë që sot e thërrasin për një tender mbikëqyrjeje. Kjo është një tallje me drejtësinë dhe korrupsionin. Aty janë gëlltitur shkolla për tunelin e Llogarasë, është bërë nami tek Thumanë – Kashar, dhe shqiptarët do të paguajnë 1.3 miliardë. Tek “tigrat” energjetikë, situata është e paprecedentë.” – tha Ahmetaj.

“Altin Dumani nuk heton Belinda Ballukun sepse nuk ka marrë urdhër. Ka një shprehje nga jugu: ajo gjëja mban erë. Si ta shpëtojmë? Nëse e hetojmë për tunelin, mban erë. Nëse e hetojmë për energjinë, për Thumanë-Kasharin, mban erë. Atëherë, ne do t’i themi shqiptarëve se po e hetojmë, që të duket sikur askush nuk është i paprekshëm. Ne kemi futur në burg një ish-zv/kryeministër dhe po hetojmë një zv/kryeministre tjetër. Dhe e çojmë në SPAK për një tender mbikëqyrjeje dy-milionësh, jo për projektet qindra-milionëshe, jo për inceneratorin e Tiranës që nuk është monitoruar. Kjo është një lojë qesharake, kush e ha e ha.” – tha ai.

Ahmetaj ka folur edhe për arrestimin e Erion Veliajt, duke deklaruar se Rama e hoqi qafe Veliajn si një nga personat që kërkonte t’i zinte vendin dhe më pas “doli e qante për Veliajn”.

“Erion Veliaj është në burg për dy arsye. Një, për të mos u akuzuar për atë që ka bërë bashkë me Edi Ramën. Unë kam dhënë indicie për urdhrin që ka dhënë Edi Rama për inceneratorin e Tiranës në verën e vitit 2017. E dyta, Edi Rama me një gur vrau dy zogj. Me pretendimin se i kishin rënë pantallonat SPAK-ut, ai i dha Erion Veliajn si ushqim për ta qetësuar. Dhe tha: ‘mos ma ngacmoni për 5D, incenerator, jo, jo. Do ta diskreditojmë për gjëra të tjera që janë larg meje.’ E dyta, e hoqi qafe si njërin nga ata që kërkonte t’i zinte vendin. Dhe pastaj dilte e qante si ai që të vret e pastaj qan.” – e mbylli Ahmetaj.

Scroll to Top