16-vjeçar shpëtohet nga mbytja në Shëngjin

16-vjeçari shpëtohet në Shëngjin pasi rrezikoi të mbytej në det

Një 16-vjeçar është shpëtuar këtë të mërkurë nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, në zonën e njohur si “Vaska e Marinës” në Shëngjin, pasi rrezikoi të humbiste jetën në det.

Sipas raportimeve nga policia, i riu ka rrëshqitur nga gurët e skelës dhe ka përfunduar në det. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai e ka pasur të pamundur të notojë dhe ka qenë në rrezik të mbytesej.

“Menjëherë pas njoftimit se në hapësirën e quajtur “Vaska e Marinës”, Shëngjin, një i mitur që kishte rrëshqitur nga gurët e skalierës, rrezikonte të mbytej, sepse për shkak të problemeve shëndetësore, e kishte të vështirë notimin, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës u nisën drejt zonës së sinjalizuar,” thuhet në njoftimin e policisë.

16-vjeçari është lokalizuar dhe ka marrë ndihmë të menjëhershme nga shërbimet e Policisë. Ai u nxorr me mjet lundrues në breg dhe u transportua për ndihmë të specializuar mjekësore në spitalin rajonal të Lezhës, ku raportohet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia e Shtetit fton qytetarët të kontaktojnë Policnë në çdo rast nevoje, duke garantuar ndihmë të menjëhershme dhe profesionale.

Scroll to Top