Spiropali shantazhohet me tatimet nga qeveria

Titulli origjinal: Ekskluzive/ E shantazhuan me tatimet. Pse shpërtheu Elisa Spiropali?

Ekskluzive: Spiropali shpërthen pas shantazhit me tatimet.

Biznese të familjarëve të Elisa Spiropalit janë bërë objekt i inspektimeve nga një grup punonjësish të tatimeve, pas disa deklaratave të saj publike kundër Edi Ramës dhe Belinda Ballukut. Spiropali u shpreh: “Në këtë pikë, çdo biznes, çdo media, çdo individ e kupton se nuk është më përballë një shteti, por përballë një makinerie të pashpirt që mund të përdoret kundër tij”.

Duket se përplasja mes Elisa Spiropalit dhe Edi Ramës, dhe sidomos me Belinda Ballukun, e cila është rreshtuar në një krah me kryeministrin, nuk do të njohë kthim pas. Këtë të premte, ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja e Jashtme e shkarkuar, ka dhënë një analizë të thellë për drejtimin e gabuar të partisë.

Ajo shkroi në një postim të gjatë në Facebook: “Një parti e gjallë po zëvendësohet nga një strukturë fosile, ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. ‘Drejtorokracia’ është kthyer në mënyrën e funksionimit. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie”.

Ky koment cilësohet si një nga kritikat më të ashpra që një personazh me profil të lartë i bën Edi Ramës, duke paralajmëruar për probleme të rënda, ngjashëm me shqetësimet e shprehura më parë nga ish-zv/kryeministri Ahmetaj lidhur me përdorimin e parave, tendera, PPP dhe skandale.

Megjithatë, Spiropali duket se shqetësohet më tepër për demokracinë e brendshme në PS dhe për segmente të pushtetit që komandojnë shtetin në mënyrë antiligjore. Ajo ka vënë në dukje se institucionet “punojnë jo sipas ligjit, por sipas vullnetit të pak njerëzve… që shndërrohen në instrumente presioni”.

Më tej, ajo shtoi: “Në këtë pikë, çdo biznes, çdo media, çdo individ e kupton se nuk është më përballë një shteti, por përballë një makinerie të pashpirt që mund të përdoret kundër tij”.

Nisur nga këto komente, Lapsi.al ka mësuar nga një burim pranë drejtorisë së tatimeve se një grup punonjësish kanë marrë urdhër të ushtrojnë kontrolle të rrepta në bizneset e bashkëshortit të Spiropalit dhe disa familjarëve të saj.

“Në krye të nismës ishte një kolegu ynë i emëruar nga Belinda Balluku dhe që vijon ti bindet asaj. Ne nuk na u tha se ku do shkonim, vetëm kur mbërritëm tek biznesi, e morëm vesh se kjo kishte lidhje me Elisën. Unë dhe një koleg tjetër u ndjemë shumë keq, nuk donim të vijonim atë raprezalje… por urdhri është urdhër”, tha ai në kushtet e anonimatit.

Burimi ka dhënë edhe foto nga kontrollet dhe nga marrja e kompjuterave nga zyrat. Kjo përputhet me deklaratën e Spiropalit për një “realitet ku institucione publike me fytyrë personale përdoren si hanxharë për të frikësuar, dhe ku… pjesa e ndershme e administratës detyrohet të zbatojë deri urdhëra të paligjshëm për interesa dhe presione eprorësh të dhunshëm dhe fuqiplotë”.

Disa ditë më parë, pas publikimit të një serie kritikash kundër Ramës, qeverisë, PS dhe refuzimit të saj për të mbrojtur Ballukun, mediat e kontrolluara nga qeveria nisën një fushatë sulmi ndaj bizneseve të familjarëve të saj.

Spiropali komentoi: “Kur struktura shtetërore të emëruara, të promovuara dhe të kontrolluara nga e njëjta dorë, tashmë jo formale, të paraprira nga portale të paguara me para të errëta, fillojnë të sulmojnë në mënyrë brutale deri edhe familjarë, në punë të tyre, atëherë kuptohet qartë se kufijtë janë tejkaluar, dhe se nuk bëhet më fjalë për politikë”.

Pas sulmit mediatik, lëvizja e dytë ishte dërgimi i punonjësve të tatimeve nga njerëz të komanduar nga Balluku. Pas kësaj ngjarjeje, Spiropali u shpreh: “Nuk kam frikë nga sulmet… Jo se jam e paprekshme, por sepse nëse do të kisha frikë, do ta kisha zgjedhur heshtjen shumë më herët. Heshtja është gjithmonë opsioni më i lehtë në këto situata”.

Analistët sugjerojnë se kjo lëvizje vjen nga ideja se Rama synon t’i japë Belinda Ballukut një rol më të madh politik, duke e ngritur në rangun e numrit dy të socialistëve. Për të shmangur skandale, Rama duket se ka zgjedhur metodat e shantazhit për të heshtur Spiropalin.

Spiropali theksoi: “Për mua kjo nuk është një çështje thjesht personale. Është një detyrim për të thënë se shumçka duhet ta bëjmë më mirë. Jo unë, por koha e kërkon. Ndarja e rëndësishme që duhet bërë qartë nuk është mes njerëzve. Është mes sektorëve funksionues shtetërorë, dhe strukturave abuzive personale.”

Scroll to Top