Statuja e John Lennon në Penny Lane shitet në ankand

Statuja e John Lennon në Penny Lane do të dalë në ankand, me një çmim të parashikuar deri në 100 mijë paund.

Një statujë në përmasa reale e John Lennon, e vendosur në një nga vendet ikonike të Liverpoolit, Penny Lane, do të nxirret në ankand dhe pritet të arrijë një vlerë shitjeje deri në 100 mijë paund.

Skulptura prej bronzi, vepër e artistas së ndjerë Laura Lean, është vendosur që nga gushti i vitit 2022 pranë Kishës së Shën Barnabës në Penny Lane. Pas shitjes së saj, statuja do të zëvendësohet me një replikë.

Penny Lane u bë e famshme në mbarë botën falë këngës së grupit “The Beatles” me të njëjtin titull, e publikuar në vitin 1967, e cila është thellësisht e lidhur me historinë muzikore të Liverpoolit.

Shtëpia e ankandeve “Omega” do të nxjerrë statujën në shitje më 29 shtator. Vlera e saj është parashikuar të jetë mes 70 mijë dhe 100 mijë paund.

Statuja, rreth 1.8 metra e lartë, portretizon John Lennon duke u mbështetur mbi një simbol të paqes, ku është gdhendur fjala “Imagine”, në një homazh për një nga këngët më të njohura të artistit.

Në të njëjtin ankand do të ofrohen edhe një sërë objektesh të tjera të lidhura me “The Beatles”, duke përfshirë albume, autografe, kartolina, broshura dhe fotografi.

Statuja u vendos në Penny Lane me mbështetjen e “Penny Lane Supporters Trust”, një organizatë komunitare vendore, dhe që nga ajo kohë është kthyer në një destinacion të njohur për fansat e grupit dhe të John Lennon.

Scroll to Top