Shkaqe të panjohura: Vdes në moshën 22-vjeçare influencuesja braziliane
Vdekja e papritur e influencueses braziliane Maria Eduarda Alves dos Santos, e njohur në rrjetet sociale si Duda Alves, ka sjellë trishtim te qindra mijëra ndjekësit e saj. 22-vjeçarja, e cila numëronte më shumë se 750 mijë ndjekës në TikTok, ishte e njohur për videot humoristike, ndarjen e përvojave personale dhe pamje nga jeta e saj e përditshme.
Lajmi për ndarjen nga jeta të saj u konfirmua nga familjarët dhe miqtë përmes platformave sociale. Ndërkohë, autoritetet braziliane kanë filluar një hetim për të zbardhur rrethanat e vdekjes, duke përfshirë edhe mundësinë e vetëvrasjes.
Vetëm disa javë para vdekjes, Duda Alves kishte folur hapur për vendimin e saj për t’iu nënshtruar një mastopeksie, një ndërhyrje kirurgjikale për ngritjen dhe reformësimin e gjoksit. 22-vjeçarja kishte shpjeguar se ky vendim ishte marrë si për arsye estetike, ashtu edhe për shkak të shqetësimeve fizike. Ajo kishte treguar se, për shkak të gjatësisë së saj, ndiente një disproporcion të gjoksit me trupin, gjë që i shkaktonte dhimbje shpine.
„Hoqa rreth gjysmën e asaj që kisha. Ishte më shumë një çështje estetike, doja të isha në gjendje të vishja rroba pa sytjena, doja më shumë liri“, kishte deklaruar ajo, duke dokumentuar procesin e ndërhyrjes në rrjetet sociale.
Pas operacionit, influencuesja kishte komentuar edhe reagimet e ndjekësve meshkuj. Ndërkohë, miqtë dhe familjarët e saj kanë ndarë mesazhe emocionuese në rrjetet sociale.
Mikesha e saj, Sarah Mahdavi, e përshkroi Dudën si shumë më tepër sesa një shoqe, duke kërkuar respekt për familjen në këtë periudhë të vështirë. „Duda, përveçse shoqja ime më e mirë, ishte familja ime, dashuria ime dhe shumë më tepër sesa mund ta imagjinoj ndonjëherë“, shkroi ajo.
Kushërira e saj, 19-vjeçarja Giovanna Alves, theksoi se kishte pasur privilegjin ta njihte Dudën për 19 vite. Shoqja e saj Clarissa Pavie kujtoi humorin dhe natyrën e saj autentike.
Funerali i 22-vjeçares u mbajt të martën në një kishë në São Paulo. Gjatë ceremonisë, babai i saj falënderoi të gjithë ata që qëndruan pranë familjes dhe shprehën dashurinë e tyre për influencuesen e re.
