Sulm rus në Kiev: 14 viktima, 22 të plagosur

Rusia godet Kievin me raketa dhe dronë: 14 të vdekur dhe mbi 20 të plagosur

Një valë e re sulmesh ruse me raketa balistike dhe dronë ka goditur Kievin dhe rajonin përreth gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës, duke shkaktuar të paktën 14 viktima dhe 22 të plagosur. Ky sulm konsiderohet si një nga më vdekjeprurëset ndaj kryeqytetit ukrainas këtë vit.

Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, sulmet filluan menjëherë pas mesnatës, ndërsa alarmet ajrore zgjatën për më shumë se një orë. Breshëria e raketave shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesa banimi, depo dhe infrastrukturë civile.

Tkachenko raportoi se nëntë persona humbën jetën në distriktin Boryspil, katër në Bucha dhe një në Fastiv. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi se mund të ketë ende persona të bllokuar nën rrënoja, ndërsa katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektivat e goditura ishin qendra logjistike dhe furnizimi me armë në Kiev dhe rajonin përreth. Po ashtu, Ministria pretendon se tre anije mallrash pranë portit të Odesës u goditën sepse transportonin pajisje ushtarake.

Autoritetet ukrainase akuzuan Rusinë për goditjen qëllimshëm të civilëve dhe infrastrukturës civile, akuza të cilat Moska i mohon.

Sulmet vijnë në një kohë kur luftimeve janë intensifikuar nga të dyja palët. Ukraina ka shtuar sulmet me dronë ndaj territorit rus, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe depot. Rusia ka intensifikuar bombardimet ndaj qyteteve ukrainase.

Në këtë kontekst, Kievi u ka bërë sërish thirrje aleatëve perëndimorë për furnizim shtesë me sisteme dhe raketa interceptuese Patriot, për të përballuar sulmet balistike ruse.

Scroll to Top