Sulme me dronë në Detin e Zi: 3 cisterna goditen pranë Turqisë

Sulme me dronë në Detin e Zi, tre cisterna të goditura pranë brigjeve të Turqisë

Tre anije cisternë raportohet se janë goditur nga sulme me dronë në Detin e Zi, pranë bregdetit verior të Turqisë. Ky incident ka ngritur shqetësime të reja lidhur me sigurinë detare në rajon.

Sipas kompanisë së transportit detar Tribeca, cisterna “James II” me flamur të Palau ndodhej rreth 80 kilometra në veri të rajonit Turkeli kur u raportua sulmi.

Ndërkohë, dy cisterna të tjera, “Altura” dhe “Velora”, me flamur të Sierra Leone-s, dyshohet se u goditën në një zonë të afërt gjatë një operacioni të transferimit të ngarkesës nga një anije në tjetrën.

Autoritetet detare dhe anijet e Rojës Bregdetare u dërguan menjëherë në vendngjarje për të ofruar ndihmë.

Të dhënat paraprake tregojnë se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë në gjendje të mirë dhe nuk janë raportuar viktima apo të lënduar.

Ky ngjarje zhvillohet në një periudhë me tensione të vazhdueshme në rajon. Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, janë raportuar disa incidente detare dhe sulme ndaj infrastrukturës dhe anijeve në zonën e Detit të Zi.

Asnjë palë nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë incident. Autoritetet turke ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar, për shkak të festës së Bajramit.

Hetimet mbi rrethanat e sulmit vijojnë, ndërsa mbetet e paqartë se kush qëndron pas përdorimit të dronëve në këtë incident të ri detar.

Scroll to Top