Sulme me thikë në NYC: Policia heton mundësinë e krimeve të urrejtjes

Dy sulme me thikë në New York, njëri prej autorëve thirri “Allahu Akbar”

Dy persona mbetën të plagosur në dy sulme të ndara me thikë në New York City, ngjarje të cilat ndodhën brenda pak orësh nga njëra-tjetra.

Autori i dyshuar, i cili sipas dëshmitarëve bërtiti “Allahu Akbar” (“Zoti është më i madhi”) gjatë sulmeve, është arrestuar nga Departamenti i Policisë së New York-ut (NYPD).

Shefja e NYPD-së, Jessica Tisch, bëri të ditur se viktimat janë dy burra, njëri me origjinë aziatike dhe tjetri hebre. Të dy u transportuan në spital dhe, sipas autoriteteve, nuk janë në rrezik për jetën.

Policia identifikoi të dyshuarin si Raul Morales, 51 vjeç. Hetimet për motivin e sulmeve janë ende në vijim.

Sipas Jessica Tisch, bazuar në dëshmitë e viktimave dhe dëshmitarëve, Morales bërtiti “Allahu Akbar” gjatë të dy sulmeve. Për këtë arsye, NYPD po shqyrton mundësinë që ngjarjet të klasifikohen si krime të urrejtjes.

Megjithatë, ajo shtoi se, edhe pse autori nuk kishte një histori të njohur problemesh psikiatrike në të dhënat e policisë, provat paraprake sugjerojnë se gjendja e tij mendore mund të ketë luajtur rol në kryerjen e sulmeve.

Pas ngjarjes reagoi edhe kryetari i bashkisë së New York-ut, Zohran Mamdani, i cili dënoi ashpër incidentet. “Sulme të tilla të urrejtjes nuk kanë vend në qytetin tonë”, deklaroi ai.

Scroll to Top