Tajfuni Godet Kinën, Përmbytje Masive dhe Viktima në disa Zona
Autoritetet kineze kanë ngritur në nivelin më të lartë alarmin për tajfunin Maysak, i cili ka shkaktuar reshje të dendura shiu dhe përmbytje të mëdha në rajonin jugor të Guangxi-t. Si pasojë, të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Sipas autoriteteve lokale, dy persona kanë vdekur, ndërsa rreth 48,000 banorë janë evakuuar. Ky informacion u bë i ditur nga nënkryetari i bashkisë së Nanning, kryeqyteti i rajonit Guangxi.
Reshjet intensive kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë. Në Nanning, janë regjistruar shembje të disa digave. Gjithashtu, rrëshqitjet e baltës nga një çarje në digën e Rezervuarit Liulan janë drejtuar drejt zonave të banuara. Autoritetet kanë njoftuar se u shemb edhe një digë në Rezervuarin Yunbiao, ndërsa Rezervuari Liugang doli nga shtrati.
Në qytetin Fangchenggang, më shumë se 800 banorë u evakuuan për shkak të përmbytjeve. Mediat shtetërore raportojnë se situata mbetet kritike në disa zona.
Televizioni shtetëror CCTV raporton se niveli i ujit ka kaluar kufijtë e alarmit në 66 stacione monitorimi hidrologjik përgjatë 55 lumenjve në rajonin Guangxi. Zona e Luwei-t regjistroi 637 milimetra reshje brenda 24 orëve, një nga nivelet më të larta të raportuara.
Edhe pse Maysak është dobësuar dhe tani klasifikohet si stuhi tropikale, autoritetet paralajmërojnë se reshjet e dendura pritet të vazhdojnë në Guangxi dhe në pjesën më të madhe të Kinës jugore edhe gjatë ditëve në vijim.
Përballimi i emergjencës ka sjellë angazhimin e 1,372 ekipeve shtesë shpëtimi dhe 140 mjeteve lundruese nga autoritetet kineze, për të mbështetur operacionet e evakuimit dhe ndihmës në zonat e prekura.
