Taksa e mbetjeve do të ndryshojë për familjet dhe bizneset
Familjet dhe bizneset do të paguajnë një taksë “individuale” bazuar në mbetjet që gjenerojnë, duke ndjekur parimin “Paguaj sipas hedhjes”. Kjo masë parashikohet në Programin Kombëtar të Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve, i cili është nxjerrë për konsultim nga qeveria.
Synimi kryesor është kalimi drejt një sistemi të ri që inkurajon riciklimin. Parimi “Paguaj sipas hedhjes” (PAYT) ofron nxitje ekonomike për reduktimin e mbetjeve, duke motivuar qytetarët të riciklojnë më shumë dhe të kufizojnë krijimin e tyre.
Sistemi PAYT konsiderohet një nga instrumentet ekonomike më efektive për zvogëlimin e mbetjeve dhe promovimin e konsumit të përgjegjshëm. Zbatimi i tij mundëson vendosjen e tarifave të balancuara për mbetjet bashkiake, ku çdo familje ose biznes paguan sipas sasisë aktuale të mbetjeve të gjeneruara, në vend të një tarife fikse.
Kështu, familjet dhe bizneset do të nxiten të ndajnë sa më shumë mbetje të riciklueshme (për të cilat nuk do të paguajnë) dhe do të paguajnë një tarifë mbetjesh vetëm për mbetjet e përziera të mbetura, siç thuhet në masën 6 të programit.
Sipas qeverisë, zbatimi i PAYT kërkon ndryshime thelbësore si në mënyrën e ndarjes së tarifave të mbetjeve bashkiake midis familjeve dhe bizneseve, ashtu edhe në sistemin e grumbullimit të mbetjeve. Modeli aktual i grumbullimit në pika të përbashkëta duhet të zëvendësohet gradualisht me përdorimin e koshave/kontejnerëve individualë, duke mundësuar kështu matjen e sasisë së mbetjeve për familje dhe subjekte biznesi.
Plani parashikon që ky sistem i ri të vihet në jetë brenda vitit 2029, duke i vënë bashkitë para detyrimit të plotësimit të kuadrit ligjor dhe logjistikës së nevojshme për këtë praktikë të re.
“Paralelisht me zhvillimin e modeleve për grumbullimin e mbetjeve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të iniciojë ndryshimet e nevojshme ligjore për adoptimin e sistemit PAYT, duke mundësuar zbatimin e tarifave të bazuara në peshë dhe/ose vëllim për shërbimet bashkiake të menaxhimit të mbetjeve. Bashkitë do të fillojnë të aplikojnë tarifimin PAYT për familjet dhe subjektet e biznesit, jo më vonë se viti 2029,” thuhet në dokument. /MONITOR
