“`html
Shkolla nuk “vlen”: Mbi 17 mijë persona me arsim të lartë nuk gjejnë punë, shumica të rinj
Edhe pse tregu i punës në Shqipëri ka treguar shenja përmirësimi gjatë vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme e personave me arsim universitar mbeten jashtë tregut të punës, pavarësisht se janë aktivisht në kërkim të një vendi pune.
Të dhënat e publikuara në raportin “Tregu i Punës 2025” të INSTAT tregojnë se 17,800 persona me arsim të lartë rezultonin të papunë. Grupmosha më e prekura është ajo e të rinjve, duke nënvizuar vështirësitë që hasin të diplomuarit në gjetjen e një vendi pune pas përfundimit të studimeve.
Sipas statistikave të detajuara:
- Nga 17,800 të papunët me arsim të lartë, 5,370 janë të moshës 15-24 vjeç.
- 4,323 i përkasin grupmoshës 25-29 vjeç.
- Në total, 9,693 persona, ose rreth 55% e të gjithë të papunëve me diplomë universitare, janë nën moshën 30 vjeç.
Kjo situatë tregon se sfida kryesore mbetet integrimi i të rinjve të diplomuar në tregun e punës.
Grupmosha më e madhe pas të rinjve është ajo e moshës 25-54 vjeç, me 11,284 persona të papunë me arsim të lartë. Ndërkohë, numri i të papunëve me arsim universitar mbi 55 vjeç është dukshëm më i ulët.
Në total, INSTAT vlerëson se gjatë vitit 2025 në Shqipëri kishte 107,548 persona të papunë, nga të cilët:
- 45,764 kishin arsim të mesëm.
- 43,984 kishin arsim 8/9-vjeçar.
- 17,800 kishin arsim të lartë.
Kjo do të thotë se personat me arsim të lartë përbëjnë rreth 16.5% të të gjithë të papunëve në vend. Fakri që mbi gjysma e tyre janë të rinj nën 30 vjeç, tregon se kalimi nga arsimi i lartë drejt punësimit vazhdon të jetë një nga hallkat më problematike të tregut të punës në Shqipëri, pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm të treguesve të punësimit.
Arsyet kryesore për këtë fenomen lidhen me mospërputhjen mes diplomave të fituara dhe kërkesës reale të tregut. Ekonomia shqiptare vijon të gjenerojë më shumë vende pune në sektorë si shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe tregtia, ndërsa shumë të diplomuar dalin nga universitetet me profile që nuk përkojnë gjithmonë me nevojat e bizneseve.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është mungesa e përvojës. Të rinjtë me arsim të lartë shpesh hyjnë në treg me diplomë, por pa aftësitë teknike, digjitale, gjuhësore apo profesionale që kërkohen nga punëdhënësit.
Gjithashtu, një pjesë e të diplomuarve përballen me pritshmëri më të larta për sa i përket pagës dhe pozicionit. Kjo mund të çojë në refuzimin e punëve që nuk lidhen drejtpërdrejt me profesionin ose që ofrojnë paga të ulëta, duke zgjatur kështu periudhën e papunësisë pas diplomimit.
Mungesa e një lidhjeje më të fortë mes arsimit dhe nevojave të tregut mbetet sfidë kryesore. Praktikat profesionale, orientimi i karrierës dhe bashkëpunimi me kompanitë nuk janë ende të mjaftueshme për ta bërë kalimin nga shkolla në punë më të shpejtë.
“`
