Të shtëna me armë në një klub nate në Detroit, 3 të vdekur e 4 të plagosur
Tre persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur pas një konflikti që përfundoi me të shtëna me armë zjarri në një klub nate në Detroit, SHBA.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:21 të mëngjesit të së dielës, në një zonë kryesisht rezidenciale të qytetit.
Sipas shefit të Policisë së Detroitit, Todd Bettison, efektivët që mbërritën në vendngjarje gjetën tre burra të pajetë, të cilët ishin qëlluar me armë. Katër persona të tjerë, dy burra dhe dy gra, u dërguan në spitalet e zonës me automjete private. Autoritetet thanë se asnjëri prej tyre nuk dyshohet se është në rrezik për jetën. Të gjitha viktimat mendohet se janë në moshën 20 deri në 30 vjeç.
Sipas policisë, ngjarja nisi pas një sherri mes disa personave, i cili më pas përshkallëzoi në përdorimin e armëve. “Ndodhi një përleshje dhe si pasojë, disa persona vendosën ta zgjidhnin konfliktin me dhunë me armë,” deklaroi Bettison.
Shefi i policisë bëri të ditur gjithashtu se adresa ku ndodhi ngjarja nuk ishte e panjohur për autoritetet. Sipas tij, policia kishte marrë shtatë telefonata për incidente në këtë vend gjatë këtij viti. Ai konfirmoi se hetuesit kanë disa pista, por nuk dha detaje për personat që mund të jenë të përfshirë.
Bëhet fjalë për një ambient që funksiononte jashtë orarit të zakonshëm si klub striptizi.
Kryebashkiakja e Detroitit, Mary Sheffield, u bëri thirrje personave që kanë dijeni për ngjarjen të bashkëpunojnë me autoritetet. “Ne e dimë se na duhet që më shumë njerëz të flasin për të sjellë drejtësi në këtë situatë. Është tronditëse dhe komuniteti ynë nuk duhet të vuajë nga një dhunë e tillë,” tha Sheffield.
Ndërkohë, një tjetër incident me armë u regjistrua të dielën në një festë ditëlindjeje në një park në Macon, Georgia, ku u plagosën me armë zjarri 12 adoleshentë. Dy prej tyre ndodheshin në gjendje kritike, ndërsa të plagosurit e tjerë ishin në gjendje të qëndrueshme.
