Vdes në moshën 40-vjeçare mundësi i njohur i Wrestlingut
Mediat e huaja raportojnë ndarjen nga jeta të mundësit britanik Benjamin Satterley, i njohur në ring me emrin “Pac”, në moshën 40-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesit e tij, ndërsa organizata All Elite Wrestling (AEW) ka shprehur tronditjen për vdekjen e sportistit, i cili ishte pjesë e saj që prej vitit 2019.
Satterley ndërroi jetë vetëm një ditë pasi kishte marrë pjesë në eventin “All Out” të AEW, të zhvilluar të shtunën në mbrëmje në një arenë në Çikago. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur.
I lindur në Newcastle upon Tyne të Anglisë, Satterley e nisi karrierën në Wrestling në vitin 2004 dhe gjatë viteve performoi në disa prej organizatave më të njohura të këtij sporti në mbarë botën. AEW e përshkroi atë si një sportist që mahniti fansat me lëvizjet e tij spektakolare në ajër dhe aftësitë e jashtëzakonshme në ring.
Gjatë karrierës së tij, Satterley fitoi disa tituj të AEW-së dhe mori pjesë në ndeshje që organizata i ka cilësuar ndër më të paharrueshmet në historinë e saj. Para kalimit në AEW, ai kishte garuar edhe në WWE, New Japan Pro-Wrestling dhe Consejo Mundial de Lucha Libre në Meksikë.
Mundësi britanik përdori disa emra gjatë karrierës, mes tyre Pac dhe Adrian Neville, ndërsa njihej edhe me nofkën “The Man that Gravity Forgot”. Kjo lidhej me stilin e tij të veçantë dhe një prej lëvizjeve përmbyllëse, gjatë së cilës ai hidhej nga pjesa e sipërme e ringut dhe rrotullohej 360 gradë para se të godiste kundërshtarin.
Vdekja e tij ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetin e Wrestling-ut.
- Legjenda e WWE-së, Paul Heyman, e cilësoi lajmin si “një humbje vërtet të tmerrshme”, duke e përshkruar Satterley si një talent të jashtëzakonshëm dhe një njeri edhe më të mirë.
- Presidenti i AEW-së, Tony Khan, tha se Satterley ishte i përsosur si bashkëshort, mik dhe sportist, duke vlerësuar njohuritë, aftësitë dhe atletizmin e tij të jashtëzakonshëm.
