Tërmet 7.7 Rihter në Indonezi: 5 të vdekur, dëme të shumta

Tërmeti shkund “Unazën e Zjarrit”/ Indonezia goditet nga lëkundje me magnitudë 7.7 Rihter, 5 të vdekur, ndërtesa të shembura (Pamjet dramatike)

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë ka goditur Indonezinë mëngjesin e së dielës, duke shkaktuar të paktën pesë viktima, dëme materiale dhe panik te banorët.

Lëkundjet e forta goditën një zonë të njohur për aktivitetin sizmik, pjesë e të ashtuquajturës “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit.

Sipas guvernatorit të provincës East Nusa Tenggara, pesë persona humbën jetën pasi u goditën nga mbeturinat e ndërtesave që u shembën ndërsa ata ishin duke fjetur.

Tërmeti u regjistrua rreth orës 05:58 me orën lokale. Epiqendra e tërmetit të cekët ndodhej rreth 68 kilometra larg ishullit Flores dhe në të njëjtën distancë nga qyteti Ende, në provincën East Nusa Tenggara.

Pas lëkundjeve të fuqishme, autoritetet lëshuan një paralajmërim për cunami, i cili u anulua disa orë më vonë. Sipas të dhënave paraprake, në zonat bregdetare u regjistruan dallgë me lartësi nga 19 deri në 30 centimetra.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesa që shemben dhe banorë që largohen me vrap nga zonat e prekura. Në disa spitale, pacientët u nxorën me nxitim jashtë ndërtesave për shkak të frikës nga shembjet.

“Dridhja ishte shumë e fortë. Njerëzit ishin në panik dhe vraponin në të gjitha drejtimet”, tha një banor, i cili ndodhej në një treg kur goditi tërmeti.

Ekipet e shpëtimit kanë nisur operacionet për kërkimin dhe nxjerrjen e personave që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Operacionet janë vështirësuar nga terreni i largët dhe malor, ndërsa zona është goditur edhe nga dhjetëra lëkundje pasuese.

Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive të Indonezisë (BNPB) u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin zonat bregdetare.

Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu qytetarët të mos hyjnë në ndërtesa të dëmtuara, veçanërisht ato me çarje ose dëmtime strukturore.

Indonezia ndodhet në “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit, një brez rreth 40 mijë kilometra i gjatë ku përplasen dhe zhvendosen pllaka tektonike. Në këtë zonë ndodhen rreth 75% e vullkaneve aktive të botës dhe regjistrohet pjesa më e madhe e aktivitetit sizmik global.

Scroll to Top