Tragjedi në Greqi/ Një fëmijë sulmohet për vdekje nga një qen pit bull
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një fëmijë me baba shqiptar dhe nënë britanike është sulmuar për vdekje nga një qen në oborrin e shtëpisë teksa po luante.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në Agios Leontas, në ishullin Zakynthos. Sipas informacioneve të publikuara, një fëmijë 18-muajsh është sulmuar për vdekje nga një qen pit bull.
Sipas detajeve të dhëna, fëmija dyvjeçar ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij kur iu afrua qenit të familjes. Për arsye ende të panjohura, qeni e ka sulmuar me egërsi të madhe, duke i shkaktuar lëndime fatale.
Pak pas orës 13:00, prindërit e tmerruar kanë njoftuar shërbimet e urgjencës. Fëmija është dërguar në spital, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Babai i fëmijës 18-muajsh është me origjinë shqiptare, ndërsa nëna e tij është britanike. Të dy kanë jetuar prej vitesh në ishullin e Zakinthosit.
Ngjarja ka tronditur komunitetin vendas, dhe autoritetet kompetente kanë nisur menjëherë hetimet për rrethanat e sulmit. Prindërit po mbahen nga autoritetet për nevoja të hetimit.
