Tragjedi në lumin Fox: Aksident me varkë, 1 e vdekur

Tragjedi në SHBA: Përplasja e dy varkave në lumin Fox rezulton me vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e bashkëshortit të saj.

Një ngjarje e rëndë është shënuar në lumin Fox, pranë McHenry, Illinois, ku një përplasje mes dy mjetesh lundruese ka sjellë humbjen e jetës së një gruaje 48-vjeçare dhe ka lënë të plagosur bashkëshortin e saj.

Autoritetet dyshojnë se drejtuesi i njërës prej varkave, 45-vjeçari Richard Stevenson, ka qenë nën efektin e alkoolit dhe ka udhëtuar me shpejtësi të konsiderueshme kur është përplasur me mjetin tjetër.

Sipas Prokurorisë së Qarkut McHenry, varka e Stevenson, me gjatësi rreth 10 metra, kishte arritur një shpejtësi prej rreth 70 nyjesh, ose rreth 130 kilometra në orë, në një zonë ku lëvizja me shpejtësi të lartë dhe krijimi i dallgëve ishin të ndaluara.

Si pasojë e këtij aksidenti, gruaja 48-vjeçare ka ndërruar jetë tragjikisht, ndërsa bashkëshorti i saj ka marrë lëndime.

Në vendngjarje, policia ka arrestuar Stevenson, i cili akuzohet për vrasje të paqëllimshme dhe drejtim mjeti lundrues nën ndikimin e alkoolit me rrethana rënduese.

Analizat mjekësore kanë treguar se ai kishte një nivel alkooli në gjak rreth 0.200 mg/l, më shumë se dyfishi i lejuar nga ligji.

Zëvendësshefi i policisë, Brian Miller, e ka përshkruar të dyshuarin si një “bombë me sahat”, duke shtuar se dëshmitarët kishin raportuar se Stevenson kishte konsumuar alkool gjatë gjithë ditës. Kamerat e sigurisë e kanë regjistruar duke lëvizur me shpejtësi të lartë edhe në lumin Fox dhe në zonën e liqenit Chain O’Lakes para përplasjes.

Prokurorët kanë theksuar gjithashtu se Stevenson ka precedentë penalë, përfshirë tre dënime për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe drejtim të pakujdesshëm, si dhe disa shkelje për tejkalim të shpejtësisë.

45-vjeçari pritet të paraqitet sërish para gjykatës më 5 gusht.

Scroll to Top