“`html
Arkitektura e fshehtë e minierës kineze ku humbën jetën 82 persona
Përfundimet paraprake nga hetimet e autoriteteve kineze mbi tragjedinë në minierën Liushenyu, në provincën Shanxi të Kinës veriore, ku javën e kaluar ndodhi një shpërthim gazi, duke vrarë 82 persona dhe plagosur 128 të tjerë, ndërsa dy persona ende rezultojnë të zhdukur, zbulojnë një situatë të jashtëzakonshme dhe plot parregullsi.
Gjatë një hetimi fillestar mbi aksidentin më vdekjeprurës në minierat e Kinës në më shumë se 15 vjet, janë zbuluar tunele të pashënuara, gjurmues të humbur dhe dyer të rreme. Qeveria ka premtuar një hetim të plotë, sipas mediave shtetërore.
Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua raportoi se tunelet e fshehura të minierës, planet e falsifikuara dhe punëtorët e jashtëm, të paregjistruar, të cilëve nuk u ishin pajisur gjurmuesit e domosdoshëm për shpëtimin e jetës, kontribuan në këtë incident tragjik.
Miniera, e operuar nga Shanxi Tongzhou Coal Coking Group, mbante dy grupe të ndara planesh dhe sistemesh mbikëqyrjeje, raportoi Xinhua. Njëri grup pasqyronte operacionet aktuale, ndërsa tjetri përdorej për inspektimet zyrtare, duke lënë disa zona minerare jashtë mbikëqyrjes rregullatore. Sipas Reuters, zyrtarët e kompanisë janë arrestuar.
Qymyri i nxjerrë nga tunelet e fshehura dhe të pakontrolluara nuk përfshihej në shifrat zyrtare të prodhimit dhe mbetet i pashlyer. Dy grupet e planeve njihen si “plane yin-yang”: njëri mbahet i hapur për inspektorët, ndërsa tjetri mbahet fshehur.
Praktika të ngjashme, të nxitura nga fitimi, nuk janë të rralla në minierat e qymyrit në të gjithë Kinën, pavarësisht masave të ashpra, sipas agjencisë kombëtare të sigurisë në miniera.
Miniera Liushenyu “përdori rrjeta teli dhe qese plastike të endura, të spërkatura me llaç, për të krijuar dyer të rreme që ngjanin shumë me shkëmbin e tunelit”, raportoi Xinhua. Punëtorët njoftoheshin nga jashtë për mbërritjen e inspektorëve dhe mbyllnin dyert e rreme, duke i lyer me hi qymyri për t’i kamufluar.
Autoritetet mund të lokalizonin minatorët nën tokë nëse ata do të ishin pajisur me gjurmues, edhe në situata emergjente. Kur ndodhi shpërthimi, regjistri zyrtar tregonte se vetëm 124 punëtorë kishin hyrë nën tokë, sipas pamjeve të transmetuara nga CCTV. Në realitet, 247 punëtorë po punonin në minierë, duke sugjeruar se 123 ndodheshin në tunele jashtë juridiksionit zyrtar.
Mungesa e hartave të sakta dhe të informacionit për vendndodhjen e minatorëve ka vështirësuar rëndë operacionet e shpëtimit, raportuan mediat shtetërore.
Miniera Liushenyu, e klasifikuar si “minierë me përmbajtje të lartë gazi” me rrezik të shtuar shpërthimi, shmangu qëllimisht edhe instalimin e pajisjeve të monitorimit të gazit për t’iu shmangur mbikëqyrjes së autoriteteve, raportoi transmetuesi shtetëror.
Problemet nuk ishin të panjohura për autoritetet para tragjedisë. Në vitin 2025, operatori i minierës “u gjobit pasi rregullatorët zbuluan punëtorë të maskuar, por dënimi nuk arriti të kishte efektin parandalues dhe kompania vazhdoi prodhimin e paligjshëm”, raportoi Xinhua.
Disa miniera në të gjithë Kinën kanë ndaluar ose zvogëluar prodhimin pas incidentit për inspektime sigurie.
“`
