“`html
Gjashtë nga tetë kompani sigurimesh regjistruan rritje fitimesh në vitin 2025
Kompanitë e sigurimeve në tregun e Jo-Jetës përfunduan vitin 2025 me fitim, teksa shumica prej tyre përmirësuan rezultatin financiar krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave nga pasqyrat e audituara financiare të kompanive, Sigal Insurance Group raportoi një fitim neto prej gati dy miliardë lekësh, duke u shquar ndjeshëm nga kompanitë e tjera.
Fitimi i Sigal (i konsoliduar me filialet e tij brenda dhe jashtë vendit, përfshirë ato në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut) shënoi një rritje prej 267% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje e fortë u nxit pjesërisht nga rritja e të ardhurave neto nga veprimtaria e sigurimit (me 6% krahasuar me vitin 2024), por më kryesorja nga rritja e të ardhurave të tjera. Sidomos, Sigal raportoi një rritje të konsiderueshme në të ardhurat nga rimbursimi i dëmeve, të cilat arritën në 814 milionë lekë, duke u rritur me 331% krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën kohë, shpenzimet neto për dëme u ulën me 7% krahasuar me një vit më parë.
Edhe në nivelin e pasqyrave financiare individuale (duke përjashtuar rezultatin e filialeve), Sigal raportoi një rritje të fortë të fitimit në 1.24 miliardë lekë, tre herë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Eurosig për vitin 2025 raportoi një fitim neto prej 726 milionë lekësh, duke u rritur me pothuajse 7% krahasuar me vitin 2024. Kompania Eurosig shënoi rritje të primit të fituar neto me gati 10%, por kjo rritje u balancua nga rënia e të ardhurave financiare nga investimet dhe rritja e shpenzimeve, përfshirë ato për dëme. Përcaktuese për rezultatin financiar me fitim dhe rritje të lehtë ishte një e ardhur shtesë në zërin e “fitimeve të tjera”, e paspecifikuar më tej në pasqyrat financiare.
Albsig për vitin 2025 raportoi një fitim neto prej 376 milionë lekësh, duke u rritur me 22.5% krahasuar me një vit më parë. Përcaktuese në rritjen e fitimit të Albsig ishte rritja e të ardhurave neto, kryesisht nga primet e sigurimit, si edhe rritja në të ardhurat nga shitja e aktiveve afatgjata materiale neto.
Kompania Sigma Vienna Insurance Group e mbylli vitin 2025 me një fitim neto prej 251 milionë lekësh, duke shënuar një rënie prej 22% krahasuar me një vit më parë. Rënia e fitimit erdhi kryesisht për shkak të rritjes më të lartë të shpenzimeve për dëme dhe shpenzimeve të tjera të aktivitetit, në raport me rritjen e të ardhurave neto nga veprimtaria e sigurimit dhe të ardhurave të tjera.
Insig gjithashtu rriti ndjeshëm fitimin për vitin 2025, me një fitim prej 243 milionë lekësh, duke u rritur me 440% krahasuar me një vit më parë. Rritja e fitimit të Insig u përcaktua kryesisht nga rritja e primit të fituar neto.
Intersig e mbylli vitin me fitim prej 184 milionë lekësh, duke u rritur me 14.2% krahasuar me një vit më parë. Faktori me peshën kryesore në rritjen e fitimit ishte përmirësimi i primit të fituar neto.
Edhe Atlantik e mbylli vitin 2025 me fitim neto prej 148 milionë lekësh, por me një rënie të lehtë prej 2% krahasuar me vitin 2024. Rënia e fitimit ka ardhur kryesisht si rezultat i zgjerimit të vlerës së dëmeve neto të paguara.
Kompania Ansig gjithashtu arriti një fitim prej 0.4 milionë lekësh, duke u përmirësuar nga rezultati me humbje prej afërsisht 24 milionë lekësh të një viti më parë.
Sipas shifrave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), fitimi total në nivel tregu sigurimesh për vitin 2025 arriti në 3.54 miliardë lekë ose 36.6 milionë euro. Fitimi i tregut u rrit me 55.8% krahasuar me një vit më parë.
“`
