Tregu i Sigurimeve: Rritje Historike Fitimi 2025

### Fitimi i tregut të sigurimeve arriti në pothuajse 37 milionë euro vitin e kaluar

Fitimi i tregut të sigurimeve shënoi një rritje historike për vitin 2025, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar deri më tani. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), fitimi total ishte 3.54 miliardë lekë, ekuivalent me 36.6 milionë euro. Ky shifër përfaqëson një rritje prej 55.8% krahasuar me vitin paraprak.

Kontributi më i madh në fitimin e vitit 2025 erdhi nga segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të Jo-Jetës. Kompanitë e këtij segmenti realizuan një fitim total prej 3.14 miliardë lekësh, duke regjistruar një rritje prej 56.3% krahasuar me vitin 2024. Në segmentin më të vogël, atë të sigurimeve të Jetës, fitimi për vitin 2025 arriti në 402 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 51.7% krahasuar me vitin 2024.

Rritja e fitimit u shoqërua edhe me përmirësimin e ndjeshëm të treguesve të rentabilitetit. Kthimi nga kapitali u rrit në 16.02%, nga 11.2% që ishte një vit më parë, ndërsa kthimi nga aktivet shënoi 5.62%, nga 3.98% që ishte një vit më parë.

Analizat e AMF-së tregojnë se rritja e fitimit të tregut është ndikuar kryesisht nga rritja e primeve të shkruara bruto, të cilat u shtuan me 10.6% krahasuar me vitin 2024. Primi i fituar neto arriti në 21.25 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 7%.

Tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga produktet e sigurimeve të Jo-Jetës, veçanërisht ato të detyrueshme motorike. Primet e shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës arritën pothuajse 24.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 9.9% krahasuar me një vit më parë. Ky segment përbën 91% të totalit të primeve të tregut.

Brenda segmentit të Jo-Jetës, sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta vazhduan të jenë dominuese edhe për vitin 2025. Primet e shkruara bruto në këtë nën-segment arritën në 16.9 miliardë lekë, duke zënë 68.6% të totalit të tregut. Sigurimi i brendshëm motorik TPL mbetet produkti më i madh, duke përbërë 58% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës. Hyrja në fuqi e sistemit të ri të llogaritjes së primeve mbi bazë rreziku vitin e kaluar ka ndikuar pjesërisht në rritjen e primeve të shkruara bruto për këtë produkt, duke u rritur me 13.3% krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, produktet e sigurimit vullnetar në përgjithësi shfaqën një rritje më të ngadaltë.

Tregu i sigurimit të Jetës, për vitin 2025, gjithashtu shfaqi ritme të larta rritjeje, me prime të shkruara bruto prej 2.44 miliardë lekësh, 17.6% më shumë se një vit më parë. Ky treg dominohet nga sigurimi i jetës së debitorit, i lidhur me kreditë e marra nga institucionet financiare. Ky produkt u rrit me 15.4% dhe përbënte 77.5% të primeve të shkruara bruto të tregut.

Në total, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve për vitin 2025 pësuan një rënie prej 0.75% krahasuar me vitin 2024. Gjithashtu, shpenzimet operative të kompanive shënuan një rritje më të moderuar prej 5% krahasuar me vitin 2024.

Në fund të vitit 2025, tregu i sigurimeve raportoi aktive totale prej 63 miliardë lekësh, ose 650 milionë euro. Totali i aktiveve të tregut u rrit me 10.3% krahasuar me një vit më parë, me rritjen më të lartë në tregun e Jetës (11.4%), ndërsa në tregun e sigurimit të Jo-Jetës rritja ishte 10.3%.

Burimi: AMF

Scroll to Top