Trump: Bisedime SHBA-Iran, por Teherani nuk është gati

Trump: SHBA dhe Irani po zhvillojnë bisedime, por Teherani nuk është ende gati për marrëveshje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani po zhvillojnë bisedime për t’i dhënë fund luftës, por theksoi se Irani nuk është ende gati për të arritur një marrëveshje.

“Po flasim me ta. Mendoj se janë seriozë. Mendoj se po bëhen më seriozë me kalimin e ditëve, ndoshta për arsye të qarta”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. Ai shtoi se negociatat janë ende në një fazë të hershme.

“Kjo nuk do të thotë që jemi atje. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, deklaroi presidenti amerikan.

Gjatë prononcimit të tij, Trump foli edhe për marrëveshjen e bashkëpunimit bërthamor për qëllime paqësore mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite, duke përsëritur se ajo nuk do të ecë përpara nëse Riadi nuk i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit dhe nuk normalizon marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme vazhdojnë, ndërsa konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit mbetet një nga çështjet kryesore të sigurisë në rajon.

Scroll to Top