Trump kundërshton përgjigjen e Iranit, e quan “të papranueshme”

Trump: Sapo lexova përgjigjen e Iranit dhe nuk më pëlqeu

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e cilësoi përgjigjen e Iranit ndaj propozimit amerikan për paqe si “krejtësisht të papranueshme”.

“Sapo lexova përgjigjen nga të ashtuquajturit ‘përfaqësues’ të Iranit. Nuk më pëlqen dhe është krejtësisht e papranueshme”, deklaroi presidenti amerikan, sipas agjencisë Reuters.

Më herët, agjencia iraniane e lajmeve IRNA raportoi se përgjigjja e Iranit iu dërgua Shteteve të Bashkuara përmes kanaleve të ndërmjetësimit pakistanez. Sipas IRNA-s, propozimi përcaktonte që “në këtë fazë, negociatat do të përqendrohen në përfundimin e luftës”.

Agjencia Iraniane Tansim raportoi se propozimi i Iranit përfshin nevojën për një përfundim të menjëhershëm të luftës në të gjitha frontet, si dhe garanci kundër çdo sulmi të ri ndaj Teheranit. Në të njëjtën kohë, propozimi iranian thekson nevojën për heqjen e sanksioneve amerikane mbi shitjet e naftës iraniane për një periudhë prej 30 ditësh.

Teherani ka shprehur dyshime nëse dhe në çfarë mase diplomacia amerikane është serioze. “Përshkallëzimi i fundit i tensioneve nga forcat e armatosura amerikane dhe shkeljet e shumta të armëpushimit nga ana e tyre ngrenë dyshime për motivet dhe seriozitetin e palës amerikane në lidhje me rrugën e diplomacisë”, theksoi Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Në një postim, Trump sulmoi ashpër si Teheranin ashtu edhe kundërshtarët e tij politikë, duke shkruar se “Irani ka luajtur lojëra me Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës për 47 vjet”. Trump pretendon se ish-Presidenti Barack Obama “jo vetëm që ishte në favor të Iranit”, por “mori anën e tyre duke përjashtuar Izraelin dhe të gjithë aleatët e tjerë”.

“Për 47 vjet, iranianët na kanë tallur, na kanë lënë të presim, kanë vrarë njerëzit tanë me bombat e tyre në rrugë, kanë shtypur protestat dhe së fundmi kanë vrarë 42,000 protestues të pafajshëm e të paarmatosur, dhe kanë qeshur me vendin tonë që është përsëri i shkëlqyer. Ata nuk do të qeshin më!”, shtoi presidenti amerikan.

Scroll to Top