Trump: Ndaloni luftën në Ukrainë, historia do të gjykojë
Pas takimit të tij me Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump lëshoi një deklaratë ku bëri thirrje për ndalimin e luftës në Ukrainë dhe arritjen e një marrëveshjeje.
Trump përshkroi takimin me Presidentin ukrainas si “shumë interesant dhe miqësor”. Ai tha se i ka komunikuar Zelenskyy-t, ashtu siç bëri edhe me Presidentin Putin, se është koha për t’i dhënë fund vrasjeve dhe për të arritur një marrëveshje.
Në postimin e tij, Trump theksoi se “mjaft gjak është derdhur” dhe lufta duhet të marrë fund. Ai sugjeroi që të dy palët të shpallin fitoren aty ku janë dhe të lënë historinë të gjykojë. Ai gjithashtu përmendi kostot financiare të mëdha dhe të padurueshme të luftës.
Trump deklaroi se kjo luftë nuk do të kishte filluar kurrë nëse ai do të ishte President. Ai shtoi se mijëra njerëz po masakrohen çdo javë dhe u bëri thirrje palëve të ndalojnë dhe të kthehen në shtëpi te familjet e tyre në paqe.