Trump flet për Iranin: Preferon të mos goditet infrastruktura, dyshon për dëshirën e SHBA-së për të pushtuar ishullin Kharg
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka folur sërish për qasjen dhe strategjinë e tij ndaj Iranit, veçanërisht lidhur me mundësinë e marrjes nën kontroll të ishullit strategjik Kharg.
Në një intervistë të dhënë kohët e fundit për median amerikane “Fox News”, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka shfaqur një qëndrim më të matur, duke zbutur kërcënimet e mëparshme. Trump pranoi se preferenca e tij personale do të ishte pushtimi i ishullit Kharg, por shprehu rezerva të mëdha nëse një veprim i tillë do të mbështetej nga udhëheqja apo opinioni publik në SHBA.
Ai u shpreh se nuk e di nëse Amerika ka “dëshirë” për një hap të tillë, duke shtuar se beson se qytetarët do të preferonin më shumë kthimin e trupave amerikane në shtëpi, një deklaratë që ai e ka përsëritur edhe më parë.
Pavarësisht retorikës së ashpër, presidenti amerikan njoftoi se Uashingtoni zyrtar vazhdon të jetë në negociata me Teheranin për të arritur një marrëveshje. Megjithatë, Trump nuk kurseu vlerësimet për palën iraniane, duke i cilësuar si një popull “krenar”.
Në përfundim të deklaratës së tij për “Fox News”, Trump zbuloi edhe kufijtë e veprimit të SHBA-së në rast përshkallëzimi të mundshëm ushtarak. Ai theksoi se do të preferonte të mos shkatërroheshin ura apo termocentrale në Iran, duke shtuar prerazi se nuk dëshiron në asnjë mënyrë t’i lërë qytetarët iranianë pa ujë të pijshëm.
