### Turizmi po nxit importet, sasia e ushqimeve u rrit me 13% në janar-korrik
Zgjerimi i shpejtë i sektorit të turizmit po krijon një treg gjithnjë e më të madh për produktet ushqimore, por prodhimi vendas nuk po arrin të përballojë kërkesën në të njëjtën masë. Si pasojë, përfitues kryesorë po rezultojnë importuesit.
Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Shqipëria ka importuar rreth 606,4 mijë tonë produkte ushqimore, krahasuar me 537,4 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përbën një rritje prej rreth 69 mijë tonësh, ose 12,8%, sipas të dhënave të tregtisë së jashtme. Rritja ka qenë e dukshme në shumicën e grupeve të produkteve ushqimore; nga 20 grupe kryesore të ushqimeve dhe produkteve bujqësore, 16 kanë shënuar shtim të sasive të importuara.
Të dhënat tregojnë se rritja e kërkesës nga turizmi, restorantet dhe strukturat akomoduese nuk po shoqërohet me një zgjerim adekuat të prodhimit vendas. Në vend që kërkesa e re të shërbejë si shtysë për shitje më të mëdha për fermat shqiptare, një pjesë gjithnjë e më e madhe e saj po plotësohet nga jashtë. Ky zhvillim ndodh në një periudhë kur aktiviteti turistik vijon të zgjerohet.
Sipas INSTAT, në qershor 2026, numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 17% krahasuar me një vit më parë. Vizitorët jo-rezidentë u shtuan me 20,6%, ndërsa net-qëndrimet e tyre me 9,2%. Në gjashtë muajt e parë të vitit, në Shqipëri hynë rreth 5,1 milionë shtetas të huaj, 6,2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Megjithëse hyrjet nuk përfaqësojnë ekskluzivisht turistë, ato reflektojnë rritjen e popullsisë së përkohshme që konsumon në vend, veçanërisht gjatë sezonit veror.
#### Drithërat kontribuojnë 65% në rritjen e importeve
Drithërat kanë dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e importeve të ushqimeve. Në periudhën janar–korrik 2026, u importuan rreth 239,3 mijë tonë drithëra, krahasuar me 194,4 mijë tonë një vit më parë. Kjo përbën një rritje prej rreth 44,9 mijë tonësh, ose 23,1%. Vetëm drithërat përbënin 39,5% të totalit të sasisë së ushqimeve të importuara dhe rreth 65% të shtesës vjetore.
Pjesërisht, importet e drithërave përdoren si lëndë e parë për industrinë ushqimore dhe për ushqimin e kafshëve. Megjithatë, rritja e importeve nuk kufizohet vetëm te drithërat. Importet e perimeve u shtuan me 4,5 mijë tonë, ose 11,1%, duke arritur në 45,5 mijë tonë. Sasitë e frutave dhe arrave të importuara arritën në 64,7 mijë tonë, me një rritje prej 5,1%. Importet e mishit dhe të organeve të ngrënshme u rritën me 4,9%, duke arritur në 28,1 mijë tonë, ndërsa produktet e qumështit, vezët dhe mjalti u shtuan me 6,8%, duke arritur në 21,6 mijë tonë.
Rritje të konsiderueshme shënuan edhe kafshët e gjalla (me 19%), produktet e industrisë së bluarjes, maltit dhe niseshtesë (me 14,2%), ushqimet e përgatitura nga mishi dhe peshku (me 17,9%), përgatitjet prej drithërave, miellit dhe qumështit (me 8,6%) si dhe kakaoja dhe përgatitjet me kakao (me 19,6%). Vetëm gjatë muajit korrik, grupi “Ushqime, pije dhe duhan” kontribuoi me 0,8 pikë përqindjeje në rritjen e importeve totale të vendit.
#### Prodhimi vendas nuk po mbërrin ritmin e kërkesës
Të dhënat më të fundit vjetore tregojnë se disa nga degët kryesore të bujqësisë dhe blegtorisë po përballen me tkurrje ose rritje të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën. Në vitin 2025, prodhimi vendas i grurit ra me 10,1%, ndërsa prodhimi i patates u ul me 7,2%. Prodhimi i perimeve u rrit vetëm me 1,5%, shumë më pak se rritja prej 11,1% e sasive të importuara gjatë 7-mujorit 2026. Të dhënat zyrtare të bujqësisë konfirmojnë se tregu vendas nuk po zgjerohet me të njëjtin ritëm si kërkesa.
Situata është e ngjashme edhe në blegtori. Gjatë vitit 2025, numri i deleve ra me 0,9%, i krerëve të dhive me 7,4%, i derrave me 28,2% dhe i shpendëve me 0,5%. Prodhimi i qumështit u ul, ndërsa ai i vezëve ra me 5,8%. Vetëm prodhimi i mishit në peshë të gjallë u rrit me 2,5%, sipas statistikave të blegtorisë.
Këto zhvillime hedhin dritë mbi dobësinë e lidhjes mes turizmit dhe bujqësisë. Hotelet dhe restorantet kërkojnë furnizim të vazhdueshëm, sasi të garantuara, standarde uniforme dhe dërgesa të rregullta. Bujqësia shqiptare, e fragmentuar në ferma të vogla dhe me mangësi në sistemet e grumbullimit, ruajtjes dhe shpërndarjes, nuk po arrin të sigurojë këto kushte gjatë gjithë sezonit. Si pasojë, ndërsa turizmi zgjeron tregun e konsumit, efekti në prodhimin bujqësor vendas mbetet i kufizuar. Rritja e kërkesës po reflektohet më shpejt në dogana sesa në fermat shqiptare.
