Ukraina drejt ndërtimit të sistemit të saj mbrojtës kundër raketave, deklaron Zelensky
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Ukraina po përparon në ndërtimin e sistemit të saj të mbrojtjes kundër raketave balistike, teksa vendi vazhdon të përballet çdo ditë me sulme ajrore ruse.
“Ne mund të konfirmojmë se prodhuesit tanë të armëve kanë arritur tashmë standardin e kërkuar,” shkroi Zelensky në platformën Telegram, pas një takimi me ekspertë të mbrojtjes dhe sigurisë. Ai shtoi: “Presim që Ukraina të arrijë rezultatet e dëshiruara gjatë periudhës 2026-2027.”
Kievi po mbështetet te sistemi i ri FREYJA, i cili synon të jetë një alternativë më ekonomike dhe me performancë të lartë ndaj sistemit amerikan “Patriot”. Ky i fundit është furnizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Megjithatë, vendi mbetet ende shumë i ekspozuar ndaj sulmeve, për shkak të mungesës së raketave përgjuese të nevojshme për mbrojtjen ajrore.
