Varfëria Energjetike në Shqipëri: Raporti i Sekretariatit

Varfëria energjetike: Sekretariati vë në dukje se Shqipëria nuk e përcakton dhe monitoron saktë këtë fenomen.

Shqipëria nuk e ka të përcaktuar qartë konceptin e varfërisë energjetike me anë të një kuadri ligjor specifik, dhe as nuk e monitoron këtë tregues. Megjithatë, vendi zbaton disa masa mbështetëse buxhetore për familjet në nevojë.

Raporti i fundit i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, i cili analizon vendet anëtare dhe politikat e tyre për zbutjen e varfërisë energjetike, tregon se, pavarësisht mungesës së një përkufizimi të qartë aktualisht, Shqipëria ka një plan të detajuar ndërhyrjeje në vazhdim.

Ky plan fokusohet në rritjen e eficiencës energjetike në ndërtesa. Parashikohet dhënia e granteve çdo vit për përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave, veçanërisht atyre me shpërdorimin më të lartë të energjisë.

“Shqipëria po zhvillon një plan afatgjatë për rinovimin e ndërtesave, i cili do të mbështesë rikonstruksionet e banesave, duke përfshirë edhe familjet në varfëri energjetike. Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën (NECP) i Shqipërisë ofron një përmbledhje të veprimeve të ndërmarra deri tani lidhur me rinovimin e ndërtesave, duke përfshirë kërkesat minimale për performancën energjetike dhe objektivat që do të arrihen nga një plan afatgjatë për rinovimin e ndërtesave që do të përgatitet. Objektivi parashikon që Bashkia e Tiranës të mbështesë 1000 rikonstruksione të banesave, të fokusuara në eficiencën energjetike, deri në vitin 2035 (me mundësi shtesë pas vitit 2035), duke rezultuar në kursime prej rreth 1 milion kWh energji në vit. Përveç kësaj, edhe bashkitë e tjera do të përfshihen në këtë program, prandaj priten kursime shtesë,” thuhet në raportin e Sekretariatit të publikuar së fundmi.

Sipas raportit, Plani Kombëtar thekson nevojën urgjente për një plan rinovimi të ndërtesave. Disa nga përbërësit e këtij plani afatgjatë përfshijnë fillimin e rinovimeve progresive të fondit ekzistues të banesave dhe mbështetje financiare për përmirësimin e eficiencës energjetike në ndërtesat private.

“Për financimin e zbatimit të masave për eficiencën energjetike dhe rinovimin e ndërtesave, theksohet rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar. Strategjia për rinovimin e ndërtesave u miratua në shkurt 2025 dhe parashikon nevojën për të investuar 24 miliardë euro në rinovim deri në vitin 2050, ku 69% e investimeve kërkohen për sektorin e banesave. Strategjia kërkon uljen e konsumit të energjisë përmes investimeve në izolim termik të mureve, çative, dyshemeve, zëvendësimin e dritareve dhe sistemeve të ngrohjes,” thuhet në raport.

Termi i varfërisë energjetike

Raporti citon se “varfëria energjetike nuk është ende e përcaktuar qartë dhe nuk monitorohet në Shqipëri. Nuk ekzistojnë politika specifike që adresojnë varfërinë energjetike, por vetëm skema kompensimi në formë përfitimesh monetare për familjet në nevojë. Këto skema janë të përgjithshme për mirëqenie, megjithatë ato ofrojnë kompensim edhe për shpenzimet e energjisë. NECP vendos objektiva për eficiencën energjetike që synojnë: uljen e konsumit të energjisë për njësi, kontribut në sigurimin e energjisë së përballueshme, dhe reduktimin e varfërisë energjetike”.

Sipas Sekretariatit, Shqipëria, për të mbështetur arritjen e këtyre objektivave, do të zhvillojë një plan veprimi për uljen e varfërisë energjetike bazuar në përvojat e vendeve të BE-së. Ky plan do të përcaktojë:

  • Grante për rinovimin e ndërtesave me performancë më të dobët.
  • Zëvendësimin e pajisjeve të vjetra shtëpiake.
  • Krijimin e një sistemi kombëtar për planifikimin, monitorimin dhe zbatimin e masave për eliminimin e varfërisë energjetike.

Parashikohet që këto masa do të mbështesin 213 mijë familje, me një kosto për buxhetin e shtetit prej 1.76 miliardë lekësh (rreth 14.22 milionë euro) në vit.

Ndërkohë, po zhvillohen ndryshime në legjislacionin primar dhe sekondar për transpozimin e Direktivës së rishikuar për Performancën Energjetike të Ndërtesave./MONITOR

Scroll to Top