Vdekje tragjike në Bolonjë gjatë arrestimit: Nis hetim

VIDEO/ Tragedi në Bolonjë: 43-vjeçar humbi jetën gjatë arrestimit, nisin hetimet

Komuniteti i Bolonjës, në Itali, është tronditur nga vdekja e një 43-vjeçari gjatë një operacioni arrestimi të kryer nga forcat e policisë të dielën, më 19 korrik. Ngjarja u bë publike pas shpërndarjes së një videoje, të regjistruar nga një dëshmitar, ku shihet momenti kur burri ndodhet i shtrirë përtokë, ndërsa dy efektivë policie përpiqen ta mbajnë nën kontroll dhe t’i vendosin prangat. Në pamjet filmike duket edhe një person i tretë që përpiqet ta mbajë nga këmbët.

Viktima, Abderrahim Fakir, 43 vjeç, dëgjohet në video duke shprehur dhimbje dhe duke kërkuar ndihmë: “Më ndihmoni, mjaft!”. Pas pak çastesh, ai nuk reagon më, ndërsa policia i lidh edhe këmbët. Në vendngjarje mbërritën ekipet e shpëtimit, por sipas dëshmitarëve, nuk u kryen menjëherë ndërhyrje për reanimim. Më pas u raportua se 43-vjeçari kishte humbur jetën nga një atak kardiak, por disa dëshmitarë dyshojnë se ai mund të ketë vdekur për shkak të mbytjes gjatë ndërhyrjes policore.

Fakir, me origjinë nga Maroku, jetonte prej vitesh në Itali, kishte leje qëndrimi dhe drejtonte një biznes në zonë. Sipas mediave italiane, policia ishte njoftuar nga banorët pasi ai kishte shfaqur sjellje të pakontrollueshme. Gjatë ndërhyrjes, raportohet se ndaj tij është përdorur edhe sprej me piper për ta neutralizuar.

Pas incidentit, në zonë u zhvilluan protesta kundër dhunës policore. Motra e viktimës kërkoi drejtësi, duke deklaruar: “Ne nuk e dimë çfarë ndodhi. Ata, policia, e dinë. Morëm telefonatën se ai kishte vdekur. I vunë prangat dhe ai vdiq. E sulmuan, e vranë dhe e rrahën. Ka dëshmitarë.”

Policia e Bolonjës ka bërë të ditur se pamjet nga kamerat trupore të efektivëve do t’i vihen menjëherë në dispozicion prokurorit Domenico Ambrosino, i cili po drejton hetimin. Ndërkohë, Autoriteti Shëndetësor Lokal i Bolonjës ka nisur një hetim të brendshëm për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, dhe presidentja e rajonit Emilia-Romagna, Michele De Pascale, kanë kërkuar një “sqarim të plotë të asaj që ndodhi”, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë.

Scroll to Top