Vëllezërit Dukaj në Gjyq për Vrasjen e Biznesmenit Eduart Reçi
Prokuroria e Tiranës ka përmbyllur hetimet për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit, Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur më 14 nëntor 2024. Dy vëllezërit, Shkëlqim dhe Florian Dukaj, janë dërguar për gjykim.
Sipas njoftimit të policisë, vrasja e shtetasit E.R. është kryer për motive pasurore. Prokuroria e Tiranës i ka dërguar për gjyq dy vëllezërit, të cilët akuzohen për tre vepra penale: ‘Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve’ dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’.
Hetimet për procedimin penal nr. 7559/2024 kanë zbuluar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Sh.D., në bashkëpunim me vëllain e tij F.D., kanë kryer vrasjen me paramendim të viktimës E.R. Viktima, gjatë viteve, kishte ndërtuar në Tiranë dy pallate dhe një vilë, duke i dhënë me qira të gjitha njësitë banimi, garazhdet dhe bizneset.
Një nga mosmarrëveshjet që viktima kishte pasur ishte me vëllezërit Dukaj, pronarë të një lokali që kufizohej me lokalit të viktimës. Problemi kryesor kishte të bënte me faktin se një pjesë e lokalit të të pandehurve ishte ndërtuar mbi tokën e viktimës.
Nga vlerësimi i provave dhe indicieve të grumbulluara, lind bindja se Sh.D., në bashkëpunim me F.D., janë autorët e tentativës së vrasjes së E.R. më 8 nëntor 2024, dhe më pas të vrasjes së tij më 13 nëntor 2024. Ata akuzohen gjithashtu edhe për mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta.
Vrasja e shtetasit E.R. është kryer me paramendim, për motive pasurore. Vendimi për kryerjen e vrasjes është marrë në qetësi së bashku me vëllain, duke përgatitur një plan kriminal. Ky plan përfshiu:
- Përgatitja për të siguruar saktësi në realizimin e vrasjes, duke përfshirë qitje në poligon.
- Sigurimi i armës dhe dylbive për kryerjen e vrasjes gjatë natës dhe në distancë.
- Zgjedhja e vendit të krimit për të shmangur ekspozimin.
- Vendosja e pritës ndaj viktimës, duke përdorur mjete si hedhja e fishekzjarrëve në oborrin e lokalit të tij.
- Kryerja e krimit në fshehtësi dhe marrja e masave për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Krahas sigurimit të armës, vëllezërit Dukaj kanë studiuar me imtësi kohën dhe vendin e vrasjes, duke synuar të mos diktoheshin dhe t’i shmangeshin përgjegjësisë penale. Ata kishin planifikuar vrasjen natën, për të mos u ekspozuar nga kamerat apo persona të tjerë. Duke qenë në dijeni se viktima dilte në mbrëmje për të pastruar oborrin, ata vendosën ta kryenin vrasjen nga distanca, nga një pozicion i cili ofronte pamje të oborrit të lokalit të viktimës, duke mos qenë të monitoruar nga kamerat dhe larg syve të njerëzve.
Shkëlqim dhe Florian Dukaj nuk kanë pasur marrëdhënie të mira me viktimën, pasi kishin ndërtuar lokalit pa leje dhe kishin pushtuar pjesërisht tokën e E.R. Edhe pse problemi ishte diskutuar, për shkak të pozicionit të Sh.D. si oficer policie, viktima hezitoi ta zgjidhte çështjen në rrugë gjyqësore dhe u kërkoi atyre ta lironin vullnetarisht sipërfaqen e zaptuar.
Propozimi i viktimës për të ndërtuar një pallat, ku vëllezërit Dukaj do të merrnin sipërfaqen e tyre takuese, i bëri ata të kuptonin se do të cenoheshin në sipërfaqen e zaptuar në mënyrë të paligjshme. Në këto rrethana, për interes pasuror, ata vendosën të realizonin vrasjen e shtetasit Eduart Reçi.
