Maduro: Venezuela ka 5,000 raketa kundërajrore kundër kërcënimit amerikan
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka bërë të ditur se vendi i tij disponon 5,000 raketa anti-ajrore portative të prodhuara në Rusi. Sipas tij, këto sisteme përfaqësojnë kapacitetet mbrojtëse të shtetit kundër çdo kërcënimi të mundshëm ushtarak nga Shtetet e Bashkuara.
“Çdo forcë ushtarake në botë njeh fuqinë e sistemit Igla-S, dhe Venezuela zotëron jo më pak se 5,000 të tilla,” theksoi Maduro gjatë një deklarate publike.
Sistemet Igla-S, të cilat vlerësohen për efikasitetin e tyre në shkatërrimin e objektivave ajrore në distanca të shkurtra, janë përdorur gjerësisht nga ushtritë aleate të Rusisë. Igla-S është një sistem i mbrojtjes ajrore portativ (MANPADS), i prodhuar në Rusi. Bëhet fjalë për një raketë që lëshohet nga supi, e projektuar për të asgjësuar objektiva ajrore në lartësi të ulëta, siç janë avionët, helikopterët dhe raketat lundruese.
Ky është një mjet lufte shumë i lëvizshëm, i gjeneratës së katërt, me një rreze maksimale efektive rreth 6 kilometra dhe një limit shkatërrimi në lartësi deri në 3.5 kilometra. Sistemi arrin një shpejtësi maksimale të objektivit deri në 400 m/s dhe njihet për rezistencën e tij të lartë ndaj sinjaleve bllokuese (jamming).
