39 viktima nga përmbytjet në Kinën jugore pas stuhisë tropikale; mbi 100 kafshë arratisen nga kopshti zoologjik, autoritetet kërkojnë kujdes
Të paktën 39 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia tropikale Maysak në Kinën jugore. Shumica e viktimave u regjistruan pas shpërthimit të një dige, e cila çoi në përmbytjen e qytetit Nanning.
Nënkryetari i bashkisë së Nanningut, Ding Wei, bëri të ditur në një konferencë për shtyp se 26 nga viktimat humbën jetën si pasojë e shpërthimit të digës. Numri i viktimave ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me bilancin fillestar prej gjashtë personash.
Reshjet rekord të shiut kanë shkaktuar tejmbushjen e rezervuarëve dhe përmbytje masive në qytete dhe qyteza të rajonit Guangxi. Autoritetet kanë evakuuar rreth 130 mijë banorë nga zonat e prekura.
Në operacionet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar mbi 8 mijë efektivë, rreth 5,700 anije dhe dronë. Ekipet po përballen me rryma të forta dhe mbeturina për të arritur tek personat e bllokuar.
Sipas Qendrës Kombëtare Meteorologjike të Kinës, reshjet intensive kanë përfshirë Guangxin për disa ditë, me sasi shiu që kanë arritur nga 10 deri në 40 centimetra në disa zona dhe mbi 90 centimetra në rajonet më të goditura.
Edhe pse niveli i ujërave ka nisur të bjerë, autoritetet paralajmërojnë se reshje të tjera të dendura priten në disa zona gjatë dy ditëve të ardhshme.
Të paktën 100 kafshë, përfshirë alpaka, derra miniaturë dhe zebra, kanë ikur nga kopshti zoologjik Guigang, në provincën Guangxi, pasi përmbytjet dëmtuan mjediset e tyre.
Kopshti zoologjik u bëri thirrje publikut të mërkurën për ndihmë në gjetjen e kafshëve të arratisura. Mes krijesave të zhdukura janë “dy rakunë të Amerikës së Veriut, katër iriq dhe tridhjetë pallua”, sipas një deklarate të postuar nga Byroja e Kulturës, Sportit dhe Turizmit e një distrikti lokal.
Kopshti zoologjik ka paralajmëruar se disa nga kafshët e arratisura “mund të jenë të frikësuara dhe potencialisht agresive”.
