Vrasja në Sarandë/ Rexhep Ismaili nuk ishte shënjestër e atentatit
Janë zbardhur detaje të reja lidhur me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Sarandë.
Një grup prej 5-6 të rinjsh ka shkuar rreth orës 21:28 në lokalin në pronësi të Rexhep Ismailit, i cili ndodhet pranë stacionit të tij të karburantit. Sipas të dhënave, personat që kanë shkuar në lokal kishin një konflikt me një banor të fshatit Gjashtë, për çështje pronësie.
Në momentin që grupi ka mbërritur në vendngjarje, personi me të cilin ata kishin konflikt ndodhej në verandën e lokalit, në një tavolinë me 66-vjeçarin Ismaili dhe 4 persona të tjerë.
Menjëherë ka nisur një debat verbal, i cili më pas ka degjeneruar në përleshje fizike me sende të forta mes palëve. Dyshohet se autorët nuk kishin për qëllim konfliktin me Rexhep Ismailin.
Pas goditjeve me sende të forta, Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me një armë zjarri tip “Kallashnikov”, duke hapur zjarr disa herë drejt grupit të të rinjve. Nga ana tjetër, ka pasur kundërpërgjigje me armë zjarri pistoletë, me ç’rast Ismaili është qëlluar një herë në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.
