Zelensky kundër deklaratave të Kremlinit: “Gënjeshtër e plotë”

Zelensky kundër deklaratave të Kremlinit: “Nuk është hera e parë që gënjejnë” lidhur me pretendimin për rrethimin e mbi 10 000 ushtarëve ukrainas

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka hedhur poshtë pretendimet e Moskës, sipas të cilave forcat ruse kanë rrethuar ushtarë ukrainas në Kupyansk dhe Pokrovsk, duke i cilësuar këto deklarata si “një gënjeshtër të plotë”.

“Kjo është një gënjeshtër e plotë. Dhe nuk është hera e parë,” – u shpreh Zelensky, duke reaguar ndaj pretendimeve të bëra nga zyrtarët rusë për përparime të konsiderueshme në lindje të Ukrainës.

Ditën e djeshme, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, deklaroi se forcat ruse kanë rrethuar qytetin Kupyansk, në rajonin e Kharkivit, dhe se po marrin kontrollin e kalimeve ushtarake mbi lumin Oskol. Sipas Kremlinit, të cituar nga agjencia shtetërore TASS, rreth 5,000 ushtarë ukrainas janë rrethuar në zonën e Kupyanskut dhe mbi 5,500 të tjerë në Pokrovsk, në rajonin e Donetskut.

Presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një vizite në një qendër komande për “operacionin special në Ukrainë”, urdhëroi masa për dorëzimin e trupave ukrainase dhe për minimizimin e humbjeve njerëzore, sipas njoftimit të Kremlinit.

Situata në frontin lindor mbetet e tensionuar, me të dyja palët që raportojnë luftime të ashpra dhe pretendime të kundërta lidhur me kontrollin e territorit.

Scroll to Top