Zelensky pas takimit me kryeministrin suedez: Avionët Gripen do të furnizohen nga viti 2026, diskutuam edhe për infrastrukturën e dëmtuar nga sulmet ruse
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas takimit me kryeministrin suedez Ulf Kristersson, theksoi se diskutuan për nevojat urgjente të infrastrukturës si dhe mbrojtjen ajrore që i nevojitet Kievit. Zelensky bëri të ditur se dërgesat e para të avionëve Gripen do të nisin që vitin e ardhshëm.
“Një takim i rëndësishëm me Kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson. E vlerësojmë shumë marrëdhënien tonë me Suedinë dhe të gjitha format e mbështetjes për popullin tonë. Sot, një nga temat kryesore të negociatave ishte forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës. Ne e konsiderojmë avionin JAS 39 Gripen si një nga elementët më efektivë në këtë drejtim dhe presim që dërgesat e para të Gripen-ëve të nisin që në vitin 2026. Diskutuam gjithashtu për situatën e mbrojtjes ajrore dhe për zbatimin e nismës PURL. Vëmendje të veçantë i kushtuam sektorit të energjisë në Ukrainë, për shkak të nevojave urgjente që kanë dalë si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike. Koordinuam qëndrimet tona me Kryeministrin përpara takimeve të kësaj jave në Evropë, samiti i Këshillit Evropian në Bruksel dhe takimi i “Koalicionit të të Gatshmëve” në Londër. Është jetike të qëndrojmë të bashkuar në vendimet tona për të arritur rezultatet që synojmë.”, tha Zelensky.
