Zhbllokohet kontrata 1 milion euro për AFMIS, KPP rrëzon ankesën

KPP rrëzon ankesën, zhbllokohet kontrata 1 milion euro për mirëmbajtjen e sistemit financiar (AFMIS)

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka rrëzuar kërkesën për shpalljen e pavlefshme të kontratës për mirëmbajtjen e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar të Ministrisë së Financave. Ky vendim hap rrugën për vijimin e marrëveshjes 24-mujore, me vlerë 99.9 milionë lekë pa TVSH.

Me Vendimin nr. 1056/2026, datë 26 gusht, KPP nuk ka pranuar ankesën e shoqërisë “Data Log”, duke i lejuar Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës. Kontrata është lidhur mes AKSHI-t dhe “Communication Progress” për një periudhë 24-mujore, me një vlerë prej 99.9 milionë lekë pa TVSH.

Fondi limit i shpallur për tenderin ishte më i lartë, në 169.46 milionë lekë (rreth 1.73 milionë euro pa TVSH). KPP kishte pezulluar përkohësisht zbatimin e kontratës më 7 gusht, pas ankesës së “Data Log”, deri në shqyrtimin e çështjes dhe marrjen e një vendimi përfundimtar. Vendimi i fundit lejon autoritetin kontraktor të vijojë procedurën.

“Data Log” kishte kërkuar shpalljen absolutisht të pavlefshme të kontratës, duke ngritur pretendime lidhur me mënyrën e zhvillimit të procedurës, përmbushjen e disa kërkesave teknike nga operatori fitues dhe mungesën e publikimit të njoftimit të lidhjes së kontratës.

KPP ka pranuar se njoftimi për lidhjen e kontratës nuk ishte publikuar, duke e cilësuar këtë si një shkelje të rregullave të transparencës. Megjithatë, Komisioni ka arritur në përfundimin se kjo shkelje, në rastin konkret, nuk ishte e mjaftueshme për ta bërë kontratën absolutisht të pavlefshme. Sipas KPP-së, “Data Log” nuk ishte privuar nga e drejta për t’u ankuar, pasi kishte ndjekur më parë si rrugën administrative, ashtu edhe atë gjyqësore.

Komisioni ka vlerësuar se pretendimet e ngritura nga “Data Log” nuk plotësonin rastet e përcaktuara në ligj që do të çonin në pavlefshmërinë absolute të kontratës. Çështja ka kaluar më parë edhe në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila në prill pranoi pjesërisht padinë e “Data Log” dhe shfuqizoi pjesërisht një vendim të mëparshëm të KPP-së, ndërsa rrëzoi kërkimet e tjera.

Tenderi u publikua në korrik 2025 dhe u shoqërua me një seri ankimimesh administrative, të cilat çuan në disa vendime të KPP-së dhe ndryshime në dokumentet e procedurës.

Scroll to Top