Kreditimi i ekonomisë po shënon rritje për të gjashtin vit radhazi
Kredia e re për ekonominë tregoi një rritje të fortë edhe për muajin korrik. Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e kredisë së re në korrik ishte 38.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 32% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Të dhënat progresive tregojnë se kredia për ekonominë gjatë vitit 2026 po vijon ciklin e saj rritës për të gjashtin vit radhazi. Për periudhën janar-korrik, janë dhënë gjithsej 261.1 miliardë lekë kredi të reja, me një rritje prej 12.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e kreditimit këtë vit paraqitet relativisht e balancuar mes dy segmenteve kryesore të tregut: ndërmarrjeve private dhe individëve.
- Kredia për bizneset: Në muajin korrik, kredia për bizneset kishte vlerën e 19.1 miliardë lekëve, duke u rritur me 26.7% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Bilanci progresiv i 7-mujorit është gjithashtu në rritje. Kompanitë private përfituan gjithsej 172.9 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 14.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pas një rritjeje më të ngadaltë gjatë vitit të kaluar, për vitin 2026 kredia për bizneset po shënon ritme të përshpejtuara të rritjes. Kredia e re për bizneset po rritet në mënyrë të kënaqshme si në lekë, ashtu edhe në euro. Megjithatë, për të dytin vit radhazi, huadhënia në lekë po kryeson portofolin e kredisë së re edhe për bizneset.
- Kredia për individët: Kredia e re për individët në korrik u përmirësua përsëri, në linjë me një tendencë të nisur që në fillim të tremujorit të dytë. Kredia e re kishte vlerën e 13.9 miliardë lekëve, në rritje me 41.8% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Të dhënat e korrikut kanë përmirësuar rritjen progresive të 7-mujorit. Ajo arriti vlerën e 87.3 miliardë lekëve, duke u rritur me 13.4% krahasuar me një vit më parë. Kredia për individët po dominohet gjithnjë e më shumë nga huadhënia në monedhë vendase, e cila për 7-mujorin përbënte pothuajse 87% të të gjithë disbursimeve. Kredia në euro, ndërkohë, paraqitet në rënie të mëtejshme. Kreditimi i individëve po rritet në të dy segmentet kryesore: blerjet e pasurive të paluajtshme dhe financimin e konsumit.
Në fund të muajit korrik, edhe portofoli total i kredisë për ekonominë, i shprehur si tepricë, kaloi për herë të parë vlerën e 1 trilion lekëve, duke u rritur me 12% krahasuar me një vit më parë. Rritja është më e lartë në segmentin e individëve, ku portofoli ka arritur vlerën e 423 miliardë lekëve, duke u rritur me 17.3% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa në segmentin e biznesit, vlera e portofolit të kredisë arriti në 541.3 miliardë lekë, duke u rritur me 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Burimi: Banka e Shqipërisë
